Drejtori Ekzekutiv i Bursës Shqiptare të Titujve ALSE, Z. Artan Gjergji ishte prezent sot në ceremoninë e shprëndarjes së çmimeve për studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit Epoka, të cilët morën pjesë në Garën Virtuale të Bursës. Kjo garë e organizuar nga Rrjeti i Ekonomistëve të Rinj (YEN), pjesë e Fakultetit Ekonomik, kishte për qëllim pjesëmarrjen e studentëve në një lojë të stimuluar virtuale për blerjen e titujve, ku skuadrat ndërtojnë portofole virtuale letrash me vlerë, bazuar në vlera monetare (cash) virtuale dhe konkurrojnë me njëri-tjetrin për një normë sa më të lartë kthimi nga portofoli i invetuar.
Rrjeti i Ekonomistëve të Rinj (YEN) është krijuar në vitin 2014 nga studentët e Departamentit të Ekonomics-it në Universitetin Epoka. Ky organizëm u ofron studentëve të rinj kontakte me profesorët e fushës me qëllim bashkëpunimin në drejtim të organizimit të eventeve me tematikë ekonominë në Shqipëri si dhe u mundëson atyre një rritje profesionale dhe së bashku me një rrjet të fortë pedagogësh dhe kompanish në vendin tonë.
Gjatë fjalës së tij, Z. Gjergji theksoi rëndësinë e këtyre iniciativave jo vetëm për të rritur ndërgjegjësimin e publikut në drejtim të koncepteve të rëndësishme si investimi, instrumentet financiare dhe tregjet e kapitalit, por edhe për t’i familjarizuar ata me risqet dhe përfitimet që vijnë nga ky proces. Gjithashtu, Z. Gjergji bëri një prezantim të shkurtër të Bursës Shqiptare të Titujve ALSE duke përfshirë edhe sfidat që presin zhvillimin e tregut të kapitaleve në të ardhmen në Shqipëri.
Në fund të eventit, fituesve të garës iu shpërndanë çmimet përkatëse.
