Organizohet takimi i 10-të i Rrjetit Shqiptar për Edukimin Financiar (ANFE)

Sot më datën 24.02.2021 u organizua takimi i radhës i Rrjetit Shqiptar për Edukimin Financiar (ANFE). Ky organizëm është krijuar mbi baza vullnetare dhe është një projekt i filluar në vitin 2018 dhe mbështetur nga Bursa Shqiptare e Titujve ALSE dhe një grup i gjërë organizatash përfaqësuese të sektorëve të ndryshëm të tregut financiar si sektori bankar, sektori i mikrofinancës, tregu i sigurimeve, tregu i fondeve të investimeve e pensioneve etj.

ANFE mblidhet periodikisht rreth 4 herë në vit dhe diskuton nisma të ndryshme që synojnë rritjen e përfshirjes financiare si dhe rritjen e vëmendjes së aktorëve të tregut ndaj rëndësisë së edukimit financiar tek publiku vendas.

Në mbledhjen e tij të 10-të përvec anëtarëve të ANFE mori pjesë është zv. Guvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Zj. Luljeta Minxhozi, e cila informoi pjesëmarrësit në lidhje me iniciativën më të fundit të ndërmarrë nga Komiteti Kombëtar i Edukimit Financiar (KKEF), një ent ku marrin pjesë Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, si dhe Ministria e Financës dhe Ekonomisë. Zj. Minxhozi tha se në KKEF është marrë vendimi për hartimin e “Strategjisë për Edukimin Financiar në Shqipëri”. Gjithashtu KKEF ka përcaktuar bankën e Shqipërisë si koordinatore të procesit për të harmonizuar punën për një përgatitje sa më cilësore dhe në kohë të këtij dokumenti mjaft të rëndësishëm për zhvillimin e tregut financiar në vend.

Sipas Bankës së Shqipërisë, përfshirja e të gjithë grupeve të interesit që përfaqësojnë sektorë të ndryshëm të tregut financiar, është një element mjaft i rëndësishëm për ta bërë këtë strategji sa më efikase dhe sa më gjithëpërfshirëse në tregun vendas. Anëtarët e ANFE u treguan shumë të gatshëm për të kontribuar në përgatitjen e këtij dokumenti strategjik më të gjithë ekspertizën dhe burimet njerëzore që zotërojnë.

Më tej Rrjetit Shqiptar për Edukimin Financiar vijoi punën me tematikat e tjera sipas rendit të ditës.