Bursa ALSE merr pjesë në eventin me tematikë “Mikrofinanca në realitetin e ri: Përballimi i stuhisë” të organizuar nga Shoqata Mikrofinanca Shqiptare

 

Shoqata Mikrofinanca Shqiptare organizoi në datën 25 nëntor 2020, një event online në formën e videoconferencës me temë: “Mikrofinanca Shqiptare në Normalitetin e Ri: Përballimi i Stuhisë”. Kjo Konference organizohet me rastin e Ditës Europiane të Mikrofinancës dhe aktiviteteve në mbarë kontinentin që organizohen për promovimin e mikrofinancës dhe rolit të saj si mbështetëse kryesore e shtresave në nevojë dhe mundësuese e përfshirjes sociale dhe financiare.

Në këtë event u diskutua në lidhje me cështjet e aktualitetit të sektorit, sfidave që ai ka hasur apo është duke hasur në ofrimin e qëndrueshëm të shërbimeve tek klientët, si edhe mundësitë dhe zgjidhjet që shfaqen në horizont për kapërcimin me sukses të këtyre sfidave. Mikrofinanca qëndron në shtyllën kurrizore të shërbimeve financiare të ofruara për shtresat e shoqërisë në nevojë, prandaj duhet të bëhen të gjitha përpjekjet që këtyre segmenteve t’u sigurohet qasje e qëndrueshme në financa.

Në këtë event ishin të ftuar si folës përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, përfaqësues nga Banka e Shqipërise, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Banka Botërore, Shoqata Shqiptare e Bankave, Bursa Shqiptare e Titujve ALSE, si edhe rrjetet ndërkombëtare të promovimit të financave sociale, si Qëndra për Mikrofinancën (MFC).

Në fjalën e tij si folës kryesor, Drejtori Ekzekutiv i Bursës ALSE z. Artan Gjergji u ndalua tek kryefjala që kanë sot të gjithë tregjet financiare në mbarë botën: aksesi në burime financimi. Kjo nevojë është jo vetëm për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, por edhe për vetë institucionet financiare të mikrofinancës të cilat kanë jo pak vështirësi në gjetjen e burimeve jo të kushtueshme të financimit.

Në këtë aspekt, z. Gjergji u ndalua tek mundësitë dhe potenciali i jashtëzakonshëm që ofron tregu i kapitaleve për institucionet e mikrofinancës në vend, të cilat mund të rrisin fonde nëpërmjet emetimit të titujve. Kjo është jo vetëm një alternativë shumë më pak e kushtueshme se sa metodat tradicionale të financimit, por u jep mundësinë institucioneve të mikrofinancës që të jenë më prezent dhe më pranë publikut investitor, duke i dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme edhe nevojës për edukim e përfshirje financiare në vend. Gjithashtu, z. Gjergji e vuri theksin tek mundësia që jep tregu i kapitaleve dhe listimi në bursë i titujve për rritjen e volumit e biznesit që mikrofinanca mund të gjenerojë në kushtet e një ekonomie në zhvillim si ajo e Shqipërisë, e cila ka nevojë të jashtëzakonshme për fonde. Avantazh në këtë process është edhe fakti që sipas të dhënave statistikore të Shoqatës Shqiptare të Bankave, edhe pse në kushte të pandemisë COVID-19, niveli i depozitave me afat kohor në sistemin bankar ka arritur në nivelet e rreth 10.4 miliardë eurove, duke paraqitur një potencial të jashtëzakonshëm të fondeve të lira në qarkullim.

Në mbyllje, z. Gjergji theksoi se procesi i emetimit dhe listimit në Bursë të titujve të borxhit për rritjen e kapitalit, do të ndihmojë institucionet e mikrofinancës në drejtim të perfeksionimit të disiplinës, buxhetimit dhe raportimit financiar si dhe do rrisë më tepër transparencën e këtyre institucioneve për publikun duke qenë në harmoni të plotë me Parimet më të mira të Menaxhimit të Korporatave.