Sot më datë 24 Prill 2020, Komisioni parlamentar i Ekonomisë mori në Shqyrtim diskutimin në parim të Projekt-Ligjit “Për Tregun e Kapitaleve”, i cili është përgatitur nga ekspertët e SECO-Bankës Botërore, në bashkëpunim me ekspertët e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Ministrinë e Financave.
Në seancën dëgjimore, përvec institutcioneve rregullatore ishin ftuar edhe përfaqësues nga grupet e interesit duke përfshirë operatorët e tregut si: Bursa Shqiptare e Titujve ALSE, Regjistri Shqiptar i Titujve ALREG, Shoqata Shqiptare e Tregtarëve të Titujve ASTA apo shoqëri komisionere. Këto grupe interesi kanë qenë mjaft aktive gjatë gjithë procesit të përgatitjes së Projekt-Ligjit duke ndikuar në mënyrë efikase në përmirësimin dhe përshtatjen e ligjit jo vetëm me Direktivat e BE-së por edhe duke marrë parasysh tregun e brendshëm.
Këtë e kemi bërë duke u bazuar në ekspertizën shumëvjecare jo vetëm të stafit të Bursës ALSE, por duke marrë edhe konsulencën e disa prej ekspertëve më të mirë të tregut të kapitaleve në rajon, të cilët na kanë asistuar sidomos në pjesën e përputhshmërisë më Direktivat e BE-së.
Krahasuar me bazën ligjore aktuale, Projekt-Ligji i ri sjell një frymë pozitive në tregun vendas të kapitaleve, kryesisht në drejtim të:
- Mbledhjes nën të njëjtën ombrellë të të gjithë kuadrit ligjor për tregun e kapitaleve në vend,
- Harmonizimit më të mirë të kuadrit ligjor me Direktivat e BE-së që mbulojnë industrinë financiare,
- Përcaktimit më të mirë të rolit dhe aktivitetit të disa tregjeve dhe ndërmjetësve financiarë,
- Sjelljes për herë të parë disa koncepte dhe institucione të reja në tregjet financiare të cilat mungonin në ligjin aktual si p.sh depozitari qëndror i titujve, agjensitë e vlerësimit të rrezikut të kreditit etj.),
- Standardizimit të kritereve të përshtatshmërisë (fit & proper) për organet e larta drejtuese të institucioneve financiare në tregun e kapitaleve.
Pas diskutimeve në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe pyetjeve nga të pranishmit për ekspertët, Projekt-Ligji u miratua në parim me votë unanime, nga të gjithë deputetët pjesëmarrës. Në javët në vazhdim pritet që të kalojë për shqyrtim dhe miratim në Seancën Plenare të Kuvendit të Shqipërisë.
