Bursa Shqiptare e Titujve ALSE dhe Junior Achievement of Albania investim i Albanian American Development Foundation nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për hartimin e programeve dhe materialeve didaktike në fushën e edukimit financiar me fokus tregjet kapitale!

Bashkëpunimi synon të rrisë ndërgjegjësimin në lidhje me edukimin financiar në drejtim të parimeve bazë financiare si: kursimet, investimet, tregu financiar, titujt, bursa dhe tregu i kapitaleve.

Faza e parë e këtij bashkëpunimi fillon me përgatitjen e një serie videosh të animuara me fokus edukimin financiar dhe tregun e kapitaleve. Videot do të shërbejnë si instrument ndërgjegjësimi dhe edukimi për publikun e gjerë dhe të rinjtë në vecanti. Kjo fazë është parashikuar të zgjasë rreth 6 muaj dhe videot do të jenë lehtësisht të aksesueshme në  media dhe rrjetet sociale duke synuar një audiencë të gjerë.

Bursa Shqiptare e Titujve ALSE sh.a. është e para bursë titujsh me kapital privat që ushtron aktivitetin në Republikën e Shqipërisë, e licensuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në Korrik të vitit 2017 dhe ka filluar nga tregtimi për herë të parë në muajin Shkurt 2018. Në Bursën ALSE tregtohen të gjithë llojet e instrumenteve financiare që plotësojnë kriteret e listimit në përputhje të plotë me kuadrin ligjor e rregullativ në fuqi. Bursa ALSE synon krijimin e një tregu kombëtar titujsh i cili të kthehet një një pikë kyçe të tregut financiar vendas për të mundësuar aksesin sa më të lehtë e të shpejtë të biznesit shqiptar tek burimet e lira të financimit. Gjithashtu, Bursa ALSE synon të jetë një treg të besueshëm në sytë e investitorëve vendas por edhe në një partner serioz e i besueshëm për investitorët e huaj.

Organizata Junior Achievement of Albania (JAA) është një investim strategjik i Fondacionit Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim (AADF) me mbështetje institucionale të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Misioni i Junior Achievement of Albania është, të nxisë dhe të mbështesë edukimin ekonomik, financiar dhe sipërmarrjen tek të rinjtë shqiptarë. Si një shembull unik midis 122 vendeve të cilët zbatojnë programin JA në shkolla, mbështetja siguron një përfshirje cilësore të programit JA në kurrikulën arsimore, ngritjen e kapaciteteve të stafit mësimdhënës dhe përfshirjen e vazhdueshme të komunitetit të biznesit në jetën shkollore. Për arritjet e saj, në vitin 2019, Junior Achievement of Albania është shpallur organizatë model mes 40 organizatave simotra në Europë.

Si pjesë aktive e Rrjetit Shqiptar për Edukimin Financiar (ANFE), Bursa ALSE dhe JAA konfirmojnë vullnetin pozitiv për të bashkëpunuar në vijimësi lidhur me rritjen e ndërgjegjësimit rreth moduleve financiare, tregut të titujve, kursimeve, investimeve etj.