Sot, në datë 29.01.2020, nën kujdesin e Shoqatës Shqiptare të Bankave, u organizua mbledhja e 8-të e Rrjetit Shqiptar për Edukimin Financiar (ANFE). Të ftuar në këtë takim të rradhës së Rrjetit ishte z. Altin Tanku, Drejtor i Departamentit të Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë, i cili prezantoi shkurtimisht këndvështrimin e Bankës së Shqipërisë mbi hartimin e strategjisë për edukimin financiar. Gjatë fjalës së tij u nënvizua rëndësia e integrimit të të gjithë objektivave dhe iniciativave të organizatave apo institucioneve që punojnë në këtë drejtim në një dokument të vetëm. Ai theksoi, gjithashtu, se përpos iniciativës së Bankës së Shqipërisë apo edhe të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për hartimin e një strategjie për edukimin dhe përfshirjen financiare, është e nevojshme edhe mbështetja e Ministrive përkatëse dhe e donatorëve ndërkombëtarë të tregut.
Të ftuar, gjithashtu, në këtë mbledhje të radhës së ANFE ishin dhe përfaqësuesit e Bankës Botërore. Zj. Edlira Dashi, konsulente e projekti Greenback 2.0, e cila bëri një prezantim të detajuar të projektit dhe specifikisht të komponentit për rritjen e kapaciteteve të sektorit “retail”, i cili do të zbatohet nëpërmjet moduleve të trajnimeve të kryera në Akademinë Greenback. Prezent në takim ishte edhe z. Nenad Bosiljčić, Konsulent i BB dhe Koordinator Rajonal për Projektin e Remitancave dhe Pagesave, i cili vlerësoi maksimalisht badhkëpunimin e të gjitha organizatave për të koordinuar iniciativat e tyre në kuadër të edukimit financiar.
