Union Bank do të emetojë obligacione korporative

Union Bank do të bëhet banka e tretë në Shqipëri që emeton obligacione korporative. Në mbledhjen e datës 22 janar, Bordi Drejtues i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare pritet të miratojë prospektin për ofertën private të emetimit të obligacioneve afatgjatë me normë interesi fikse.

Emetimi i obligacioneve me ofertë private po aplikohet prej shtatë vitesh nga Credins Bank, që në fund të shtatorit 2019 raportonte në bilanc borxh të varur në shumën e 6.36 miliardë lekëve ose rreth 52 milionë eurove.

Vitin e kaluar, edhe Fibank realizoi emetimin e parë të obligacioneve korporative, për një shumë prej dy milionë eurosh.

Obligacionet ofrojnë avantazhe si formë alternative e sigurimit të financimeve, sepse nuk parashikojnë shlyerje para maturimit, siç mund të ndodhë me llogaritë apo depozitat e klientëve.

Megjithatë, në përvojën e deritanishme të bankave shqiptare, obligacionet në formën e borxhit të varur janë emetuar kryesisht me qëllim përdorimin e tyre si kapital rregullator i nivelit të dytë, në përputhje me përcaktimet e rregullores përkatëse të Bankës së Shqipërisë.

Në momentin kur iu duhet më shumë kapital, me qëllim për të mbështetur rritjen e mëtejshme të aktiveve, bankat mund të zgjedhin të emetojnë borxh të varur, në vend që të rrisin kapitalin aksioner.

Mbështetur në raportet financiare të vetë bankës, në fund të shtatorit 2019, Union Bank raportonte një raport të mjaftueshmërisë së kapitalit në nivelin 13%. Me sa duket, emetimi i obligacioneve ka si qëllim pikërisht rritjen e nivelit rregullator të kapitalizimit.

Aksioneri kryesor, Unioni Finaniar Tiranë (UFT) është në proces të riblerjes së kuotave të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Union Bank. Operacioni ka nisur në qershor të vitit të kaluar dhe pritet të kryhet me 6 transhe, deri në dhjetor 2021. UFT do të paguajë gjithsej rreth 3.6 milionë euro për 10.12% të aksioneve.

Pavarësisht nga arsyet e emetimit, obligacionet me ofertë private po bëhen instrument gjithnjë e më i përdorur në sektorin financiar shqiptar. Veç bankave, obligacione të tilla kanë emetuar edhe institucionet financiare të huadhënies, si NOA, Fondi Besa dhe Iute Credit.

Mbështetur në të dhënat e shtatorit 2019, Union Bank zotëron 4.3% të tregut bankar në Shqipëri, për një total aktivesh prej rreth 63 miliardë lekësh.

Vitin e kaluar, Union Bank finalizoi bashkimin me përthithje me Bankën Ndërkombëtare Tregtare. Banka me kapital malajzian u ble për rreth 9.55 milionë dollarë amerikanë.

Burimi: Paraja.net