Tregtimi në Bursë/ ALSE, volumi i tregtimit arriti në rreth 2.5 mld lekë për vitin 2019

Bursa Shqiptare e Titujve, ALSE, realizoi një volum tregtimi prej rreth 2.5 miliardë lekësh për vitin e kaluar. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka publikuar të dhënat zyrtare të tregtimit gjatë vitit të kaluar, që dëshmuan një qëndrueshmëri të aktivitetit të Bursës, në vlera të përafërta me vitin 2018.

Në pjesën më të madhe, bëhet fjalë për veprime me obligacione të qeverisë shqiptare, që shoqëritë komisionere, anëtare të bursës, i kanë kryer për llogari të klientëve të tyre. Aktualisht, bursa ALSE ka katër anëtarë, nga të cilat tre janë banka të rëndësishme tregtare.

Bursa Shqiptare e Titujve nisi tregtimin në 22 shkurt 2018, me tregtimin e bonove dhe obligacioneve të qeverisë shqiptare. Që nga shkurti 2019, ALSE është ligjërisht e licencuar për të tregtuar edhe tituj të kompanive private. Megjithatë, për shkak të pengesave të natyrës burokratike dhe teknike, tregtimi i këtyre titujve nuk ka qenë ende i mundur.

Pritet që ALSE ta ofrojë këtë mundësi shumë shpejt gjatë vitit 2020. Tregu i titujve të kompanive private dhe sidomos i instrumenteve të borxhit paraqet potenciale në rritje gjatë viteve të fundit. Disa kompani të sektorit financiar po emetojnë rregullisht obligacione me ofertë private.

Dy prej shoqërive anëtare të Bursës, Credins Bank dhe ABi Bank, së fundmi kanë zgjeruar licencën e tyre të brokerimit, për të mundësuar edhe tregtimin e titujve të emetuar nga shoqëritë tregtare.

Ersuin Shehu/SCAN