Organizohet mbledhja e 7-të e Rrjetit Shqiptar për Edukimin Financiar (ANFE)

Më datë 13.11.2019, nën kujdesin e Bursës Shqiptare të Titujve ALSE  u organizua mbledhja e 7-të e Rrjetit Shqiptar për Edukimin Financiar (ANFE). ANFE është një organizëm i krijuar më 29.06.2018 e cila ka në qendër të aktivitetit të saj edukimin financiar, promovimin e tregjeve, produkteve dhe shërbimeve financiare. Pjestarët e kësaj organizate janë institucione mjaft të rëndësishme në fushën financiare si: Shoqata Shqiptare e Bankave, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, Bursa Shqiptare e Titujve ALSE, Shoqata Shqiptare e Mikrofinancës, Junior Achievement of Albania, Shoqata e Tregtimit të Titujve në Shqipëri (ASTA), Shoqata Sigurimit të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimit, Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, Shërbimi Kombëtar për Rininë. Ndërkohë që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka një status vëzhguesi në takimet e mbledhjes së ANFE.

Në fillim të kësaj mbledhje Shoqata Shqiptare e Mikrofinancës informoi pjesmarrësit rreth një studimi të kryer prej tyre lidhur me nivelin e edukimit financiar për produktet dhe shërbimet financiare të klientëve të mikrofinancës. Më tej Junior Achievement of Albania (JAA) informoi pjesmarrësit rreth projekteve të saj më të fundit të cilat po i organizon në bashkëpunim me Bursën ALSE dhe Shoqatën ASTA në disa prej shkollave të mesme publike dhe jo publike në vend, të cilat kanë në fokus rritjen e sensibilizimit të këtyre target grupeve në lidhje me shërbimet financiare. Përfaqësuesit e Shoqatës se Sigurimit të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimit informuan pjesmarrësit në lidhje me zhvillimin më të fundit dhe risitë e kësaj industrie që u prezantuan në Tiranë në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga OECD dhe Shoqata Ndërkombëtare e Fondeve të Pensioneve (IOPS) në bashkëpunim me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare në muajin Nëntor 2019. Më tej Drejtori Ekzekutiv i Bursës Shqiptare të Titujve ALSE, informoi të pranishmit rreth licencimit nga Banka e Shqipërisë së Rregjistrit Shqiptar të Titujve ALREG si operator pagesash për transaksionet në bursë duke evidentuar faktin që tashmë nuk ekziston asnjë pengesë teknike për procesin e tregtimit-klerimit-shlyerjes së titujve të emetuara nga biznesi në Republikën e Shqipërisë. Në vijim Shoqata Shqiptare e  Bankave informoi pjesmarrësit në lidhje me aktivitetet e organizuara nga Banka e Shqipërisë dhe bankat e nivelit të dytë në kuadër të “Javës Ndërkombëtare të Kursimeve”.

Në mbyllje, të gjithë organizatat dhe institucionet anëtare të ANFE ranë dakort për rritjen e prezencës së tyre në media si dhe në rrjetet sociale duke qenë sa më pranë konsumatorëve me informacione publike që rrisin sensibilitetin dhe nivelin e edukimit financiar.