5 risqet e borxhit publik-Strategjia 3 vjeçare, si do ndërhyhet

Qeveria ka miratuar Strategjinë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit për periudhën 2019-2021, e cila është botuar në Fletoren Zyrtare që synon reduktimin e kostove të borxhit në terma afatgjatë, përmes uljes së ekspozimit ndaj risqeve si dhe zhvillimin e tregut të titujve shtetërore.

Por në strategji është parashikuar që disa nga rreziqet kryesore që mund të kenë ndikim në borxhin publik janë risku i rifinancimit, për shkak të nivelit të lartë të titujve që rifinancohen në periudhë afatshkurtër; risku i normave të interesit për shkak të nivelit ende të lartë të borxhit afatshkurtër, risku nga kursi i këmbimit ku synohet ruajta e raportit të stokut të borxhit shtetëror në valutë në raport me totalin e borxhit shtetëror; risku i likujditetit dhe risku operacional.

Në strategji thuhet se nëse financat publike do të vijojnë të ndjekin rrugën e konsolidimit fiskal duke i dhënë mundësi vendit të mbajë ose përmirësojë vlerësimin e riskut të kreditit, ritmet e rritjes ekonomike do të përshpejtohen në 4.5 për qind në vitin 2021, kursi i këmbimit të monedhës vendase ndaj monedhës Euro mund të rikthehet gradualisht në nivelin 130 Eur/Lek, dhe niveli i borxhit të qeverisjes qendrore në raport me PBB do të vijojë të ndjekë trajektoren rënëse të nisur nga viti 2016 dhe në këto kushte ,parashikohet që të arrijë në nivelin 60 për qind në fund të periudhës afatmesme.

Ndërsa borxhi në valutë në raport me totalin e përgjithshëm pritet të shoqërohet me një rritje të moderuar, por duke qendruar nën kufirin strategjik prej 55 për qind. Referuar parashikimeve që normat e interesit gjatë tre viteve do të shoqërohen me rritje graduale, vlerësohet se kostot e borxhit shtetëror në vlerë abslolute gjithashtu do shoqërohen me rritje dhe mund të shkojnë deri në 45 mld lekë deri në fund të vitit 2021 , ndërsa në vlerë relative pritet të jenë të qëndrueshme duke mbajtur nën kontroll riskun fiskal dhe aftësinë paguese të qeverisë.

Elisabeta Dosku/SCAN