Société Générale njofton shitjen e paketës së saj kontrolluese të aksioneve në Société Générale Albania tek OTP

Société Générale ka hyrë në marrëveshje për të shitur paketën e saj kontrolluese të aksioneve në Société Générale Albania (SGAL) tek OTP Bank. Mbyllja e këtij transaksioni pritet të ndodhë në muajt e ardhshëm, subjekt i miratimeve nga autoritetet bankare dhe të konkurencës, dhe miratimit të palëve të tjera të lidhura, tha banka në një njoftim zyrtar.

Me pjesë të tregut afërsisht 6%, SGAL është banka e 5të më e madhe në tregun bankar shqiptar me aktivitet në të dy segmentet, retail dhe korporatë.

Gjatë muajve të ardhshëm, Grupi Société Générale dhe OTP Bank do të punojnë së bashku për të përftuar të gjithë autorizimet e nevojshme. Gjatë kësaj periudhe, Société Générale Albania do të vazhdojë t’iu shërbejë të gjithë klientëve retail dhe korporatë me të njëjtët standarde të larta ndërkohë që përgatiten për një tranzicion sa më të butë për klientët, duke siguruar stabilitetin e marrëdhënieve të tyre me bankën, përfundon njoftimi për shtyp i bankës.

Shitja

Në mars të këtij viti, mediat bullgare raportuan se Banka franceze Société Générale (SG) po tërheq biznesin e saj nga Europa Qendrore dhe Lindore, konkretisht në Bullgari, Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi, Serbi ketu

Këto tregje janë të mbingarkuara dhe jo tërheqëse në këtë moment, prandaj SG është duke u larguar prej tyre, veçanërisht pasi bankat nuk janë as në top 3 të këtyre vendeve.

Blerësi OTP Bank Group, me zyra qendrore në Hungari, është një nga ofruesit më të mëdhenj të shërbimeve financiare të pavarura në Europën Qendrore dhe Lindore, me një gamë të gjerë shërbimesh bankare për individët privatë dhe klientët e korporatave. Grupi OTP përfshin banking, dhënie shërbimesh në fushën e sigurimeve, pasurive të paluajtshme, factoring, leasing dhe menaxhim të aseteve, fondeve të investimeve dhe pensioneve ketu. Banka u shërben klientëve në 9 vende, Hungaria, Sllovakia, Bullgaria, Serbia, Rumania, Kroacia, Ukraina, Mali i Zi dhe Rusi. OTP Bank ka shprehur dhe më parë interes për Shqipërinë, kur konkurroi që të blinte Bankën e Kursimeve në fund të vitit 2003, që pas një gare të ashpër u mor në momentin e fundit nga austriakët e Raiffeisen.
Në Shqipëri, Societe Generale kishte një total aktivesh prej 81.4 miliardë lekësh në fund të vitit 2017, ose 5.6% e totalit të aktiveve në sistem, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave. Banka ka 8.5% të stokut të kredive dhe 6.2% të depozitave.

Banka Societe hyri në Shqipëri përmes blerjes së aksioneve të Bankës Popullore, në vitin 2007. Societe ka pasur një aktivitet pozitiv në vite, si në drejtim të treguesit të kredive me probleme, që ka qenë më i ulëti në sistem, ashtu dhe të treguesve të përfitueshmërisë (kthyeshmërisë nga kapitali dhe aktivet), teksa ka rritur pjesën e tregut në mënyrë të qëndrueshme.