AMF njësi të veçante monitorimi për brokerat, do zgjerohen tregjet në mbikëqyrje

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të ketë në strukturën e re organizative një njësi të posaçme që do të monitorojë brokerat në sigurime. Detajet i bëri të ditura kreu i AMF, Ervin Koçi gjatë një takimi me brokerat e licencuar.

“Në strukturën e re organizative, do të ketë një njësi të posaçme për monitorimin e brokerave, e cila do të realizojë edhe inspektimet on-site dhe off-site për të mbikëqyrur veprimtarinë e brokerimit, duke pasur në vëmendje praktikat më të mira të vendeve të rajonit dhe të Evropës. Qëllim parësor i saj do të jetë mbrojtja sa më mirë e interesave të konsumatorëve” mësohet të jetë shprehur Koçi.

Sipas AMF nga veprimtaria e brokerimit, gjatë tremujorit të parë të vitit 2017, janë realizuar më shumë se 1.95 miliardë lekë prime të shkruara bruto, kryesisht të realizuara në sigurimin e detyrueshëm motorik.

Nga ana tjetër kreu i AMF ka vënë theksin tek synimi kryesor të AMF-së, për zgjerimin e pasurimin e tregut të sigurimeve me produkte sa më të përshtatshme për konsumatorin dhe punën që po bën AMF për hartimin e një strategjie afatgjatë për zgjerimin e tregjeve nën mbikëqyrje. Ai i ftoi shoqëritë e brokerimit për të dhënë kontributin e tyre për zhvillimin më tej të tregut të sigurimeve.

Gjatë takimit shoqëritë e brokerimit prezantuan problematikat dhe këndvështrimet e tyre në realizimin e punës së përditshme. Ata u shprehën të gatshëm për të rritur bashkëpunimin e mëtejshëm me Autoritetin, duke sjellë edhe propozime për ndryshime dhe shtesa në legjislacionin ekzistues, që do të ndikojë në funksionimin sa më të mirë të tregut dhe mbrojtjen e interesave të konsumatorëve. Ndër propozimet përfshiheshin edhe:

  • Klasifikimi i brokerave që veprojnë në treg, për kapacitetin dhe funksionimin e tyre, bazuar në raportimet periodike që ata sjellin në AMF;
  • Plotësimi i akteve nënligjore në mënyrë që të vendoset përfaqësimi i brokerit në kontratën e sigurimit, duke e krijuar kështu mundësinë për një mbrojtje më të mirë të konsumatorit.

Veprimtaria e brokerimit në Shqipëri, deri tani, është e drejtuar kryesisht tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat zënë mbi 98% të veprimtarisë së tyre dhe një përqindje fare të vogël e zë brokerimi për sigurimin e Jetës. Në treg janë të licencuar dhe operojnë 34 broker fizikë dhe 15 shoqëri brokerimi, duke përfshirë edhe 3 banka.