Shqipëria me Bursë-AMF licencon ALSE, bursën e parë private

Bordi Drejtues i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare licencoi të hënën bursën e parë private në Shqipëri “Bursa shqiptare e titujve – ALSE”.

Ky është një ndër zhvillimet më të rëndësishme në historinë e tregut financiar jobankar në Shqipëri. ALSE është e para bursë titujsh që vjen si nismë e sipërmarrjes private dhe me një projekt të qartë për të qenë funksionale dhe e suksesshme.

“SCAN” do të japë më shumë hollësi rreth bursës së parë private, pasi vendimi të jetë publikuar zyrtarisht nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Në vitet e fundit, po shfaqen sinjale të shumta se në tregun financiar ekziston një ofertë dhe kërkesë potenciale për instrumentet e bursës.

Shtrëngimi i kreditimit gjatë periudhës së krizës ka rritur te biznesi nevojën për të siguruar financime me instrumente alternative. Tashmë, janë disa kompani private që po aplikojnë huamarrjen përmes titujve të borxhit, si obligacionet apo dëftesat tregtare.

Nga ana tjetër, tregu kërkon alternativa me kthim më të lartë investimi, duke pasur parasysh se politika monetare stimuluese që po mbizotëron gjithë ekonominë europiane i ka ulur interesat e depozitave dhe titujve qeveritarë në minimumet historike.

Në mungesë të një burse, shumë individë kanë ndërmarrë investime në bursat online, duke punuar me ndërmjetës që jo gjithmonë kanë rezultuar të besueshëm. Hapja e bursës së parë private do të plotësojë më në fund boshllëkun e një tregu kapitalesh në ekonominë shqiptare.