Në kuadër të punës që po bëjmë për edukimin financiar dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik në lidhje me tregun e kapitaleve në vend, në bashkëpunim me institucionin prestigjioz German Sparkassenstiftung Albania (DSIK Albania) dhe Shoqatën e Tregtimit të Titujve (ASTA), po organizojmë për herë të parë pjesëmarrjen e Fakulteteve Ekonomike të universiteteve shqiptare publike dhe jo-publike në konkursin ndërkombëtar me temë: “BURSA VIRTUALE E TITUJVE – Të Mësojmë rreth Tregut të Letrave me Vlerë”.
Konkursi konsiston në aksesimin e skuadrave me 3-4 studentë, në një ambjent virtual në formën e një platformë interneti të centralizuar, e cila do t’i pajisë ata me fonde virtuale (50.000 EUR) dhe do t’u japë mundësinë të aksesojnë çmimet reale të tregtimit të titujve (aksione, obligacione, fonde investimesh etj.), duke ndërtuar një portofol virtual investimesh në letra me vlerë, me qëllim maksimizimin e normës së kthimit nga investimi. Konkursi ndërkombëtar fillon në mes të muajit Shtator 2021 dhe zgjat rreth 6 javë. Në Dhjetor 2021 një juri e pavarur ndërkombëtare do të vlerësojë performancën e portofoleve virtuale dhe do të shpallë skuadrën fituese më një çmim ndërkombëtar. Gjithashtu, DSIK Albania është angazhuar për ofrimin e një çmimi të veçantë kombëtar (në Shqipëri), i cili do të shpërblejë skuadrën universitare me performancën më të lartë të investimit.
Për këtë qëllim sot më datën 24 Qershor 2021 organizatorët e këtij eventi në Shipëri ofruan një trajnim të detajuar e profesional për të gjithë studentet e universiteteve publike e jo-publike në vend të cilët do të përfshihen në këtë konkurs ndërkombëtar. Interesi karshi këtij eventi ishte i jashtëzakonshëm dhe pati një pjesëmarrje të gjerë të më shumë se 150 studentëve, të ndarë në më shumë se 50 skuadra, duke përfaqësuar rreth 15 universitete publike dhe jo-publike.
Këtë trajnim, i cili realizohet për herë të parë në vendin tonë dhe në një hapësirë kaq gjithëpërfshirëse e përshendeti edhe zj. Mimoza Kaçi, Nëndrejtore Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Në fjalën e saj zj. Kaçi e vuri theksin tek rëndësia që ka edukimi financiar për të gjitha grupmoshat, si një element që nxit në mënyrë cilësore dhe sasiore zhvillimin e tregjeve financiare e sidomos ato të tregut të kapitaleve. Më tej vijoi me punën që po bënë aktualisht Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë për krijimin e një Strategjie Kombëtare të Edukimit Financiar. Gjithashu njohi të pranishmit për punën e realizuar deri më tani nga ana e Autoritetin (AMF) për përmirësimin e Kuadrit Ligjor dhe Rregullator të industrisë me përpilimin dhe miratimin e katër Ligjeve dhe Rregullatoreve mbështetëse të tyre. Në përfundim zj. Kaçi falendroi organizatorët për këtë nismë si dhe u bëri thirrje universiteteve të jenë sa më prezent në çdo event në thelb të të cilit është rritja e ndërgjegjësismit të publikut në lidhje me tregun dhe shërbime financiare.
Më tej përaqësuesit e DSIK Albania, Bursës ALSE dhe ASTA realizuan një trajnim intensiv për studentët në thelb të të cilit ishin të përshirë informacione të detajuara në lidhje me:
- Rregullat, procedurat dhe çmimet e pjesëmarrjes në Konkursin Ndërkombëtar “Bursa Virtuale-Të Mësojmë për Tregun e Letrave me Vlerë”,
- Anën operacionale të hedhjes së Urdhrave në Platformë dhe Tregtimi i Titujve në Bursa,
- Krijimin e një Portofoli në Tituj dhe Menaxhimin e Aseteve
