Interesat e bonove të thesarit! Shënojnë një rritje të lehtë pas shumë muajsh

Interesat e bonove me maturim 12 mujor shënuan rritje të lehtë në ankandin e kësaj jave, pas një periudhe disamujore në rënie. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield- mesatar i ponderuar u rrit në 1.69%, nga 1.63% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

Qeveria rriti të shesë të gjithë shumën e shpallur prej 9.7 miliardë lekësh, ndërsa kërkesat totale në ankand arritën në rreth 10.5 miliardë lekë. Për momentin, tregu nuk po shfaq shtrëngesa në likuiditet dhe po i  përgjigjet kërkesës së lartë për huamarrje të qeverisë, ndonëse me një korrektim të lehtrë në rritje të yield-eve.

Pas shpërthimit të krizës së Covid-19, deficiti buxhetor u rrit me ritme të shpejta dhe arriti në pothuajse 40 miliardë lekë në fund të tremujorit të dytë. Pas rishikimit të fundit të buxhetit, në muajin korrik, deficiti për këtë vit parashikohet të arrijë në 133 miliardë lekë ose sa rreth 8.4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Këto projeksione janë shoqëruar me rritje të huamarrjes, si në tregun e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm. Në gjysmën e parë të këtij viti stoku i borxhit publik është rritur me rreth 154 miliardë lekë.

Pjesa më e madhe u financiar përmes eurobondit të emetuar në tregjet ndërkombëtare, por edhe stoku i borxhit të brendshëm është rritur me rreth 41 miliardë lekë. Pavarësisht kërkesës së shtuar dhe rreziqeve në rritje, që prej muajit prill interesat e insturmenteve të borxhit qeveritar kanë rezultuar në rënie.

Tregu financiar ka pasur likuiditet të bollshëm, edhe falë injektimeve të mëdha të parasë nga Banka e Shqipërisë.

Ersuin Shehu/ SCAN