Me anë të këtij njoftimi për shtyp, Bursa Shqiptare e Titujve ALSE, njofton publikun dhe Anëtarët e saj se, për shkak të situatës dhe efekteve që ka sjellë COVID-19 në kufizimin nga ana e Qeverisë të orareve të punës dhe lëvizjes së njerëzve, kanë ndryshuar oraret operacionale të Depozitarit Qendror të Titujve të Qeverisë (AFISaR), i administruar nga Banka e Shqipërisë.
Duke qenë se procesi i tregtimit në Bursën ALSE është i lidhur ngushtë me procesin e shlyerjes së transaksioneve, si për titujt ashtu edhe për vlerat monetare cash (i njohur si procesi i pas-tregtimit), është e domosdoshne që të ndryshojnë edhe oraret e funksionimit të bursës, në mënyrë që i gjithë zinxhiri i proceseve tregtim-klerim-shlyerje të kryhet pa asnjë problem.
Për këtë arsye, Këshilli Mbikëqyrës i Bursës Shqiptare të Titujve ALSE, bazuar në nenin 162, pika 2, të ligjit nr. 9901 datë 14.04.2008 “Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare”, ka realizuar mbledhjen e tij të jashtëzakonshme, sot më datë 26.03.2020, ku ka marrë vendimin për ndryshimin e fashave orare të transaksioneve në tituj, që mund të ekzekutohen në tregjet e Bursës ALSE.
Oraret e reja të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës, të cilat hyjnë në fuqi që nga data 27.03.2020, janë si më poshtë vijon:
Orari i tregtimeve vetëm gjatë ditëve zyrtare të tregtimit (E Martë dhe E Enjte)
| Fazat e Tregtimit | Ishte | Orari i Ri |
| Faza Jashtë Burse 1 | 09:00-10:00 | 08:30-09:30 |
| Faza Para-Tregtim | 10:00-12:00 | 09:30-10:30 |
| Faza Kryesore e Tregtimit | 12:00-14:00 | 10:30-11:30 |
| Faza Jashtë Burse 2 | 14:00-17:00 | 11:30-12:30 |
Oraret e raportimit të transaksioneve të negociuara jashtë ditëve zyrtare të tregtimit në bursë, përkatësisht çdo Të Hënë, Të Mërkurë dhe Të Premte, gjatë orarit 09:00 deri në 12:00.
Bursa Shqiptare e Titujve ALSE i bën thirrje publikut që të marrë në parasysh oraret e reja, në rast se dëshiron të tregtojë tituj të Qeverisë në bursë. Gjithashtu, Bursa ALSE u kërkon Anëtarëve të saj të njoftojnë klientët e tyre (kur është e mundur) në lidhje me ndryshimet e këtyre fashave orare të tregtimit në bursë.
Bursa Shqiptare e Titujve ALSE garanton publikun se ka bërë dhe do të bëjë gjithçka është e mundur që, edhe pse në kushte të jashtëzakonshme, të mundësojë një treg të lirë, të ndershëm, transparent dhe të paanshëm ku investitorët të mund të alokojnë portofolet e tyre të investimeve në tituj të Qeverisë, të listuara në tregjet tona.
