Prezantohet draft Ligji i ri “Për Tregun e Kapitaleve në Shqipëri”

Ditën e hënë datë 12.11.2018, Bursa Shqiptare e Titujve ALSE mori pjesë në takimin e zhvilluar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare AMF  lidhur me fazën e dytë të projektit: “Forcimi i kapaciteteve të Autoritetit të  Mbikëqyrjes Financiare, fokusi tek zhvillimi i tregut të kapitaleve”  mbi prezantimin e draft ligjit të ri  “Për Tregun e Kapitaleve në Shqipëri”.

Gjatë këtij takimi u prezantua nga konsulentët e Bankës Botërore draft ligji i ri “Për Tregun e Kapitaleve në Shqipëri”. Ky draft ishte gjithëpërfshirës ku përmblidhte:

  1. Firmat e Investimit si operatorë të Tregut të Kapitaleve
  2. Funksionet e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në Tregjet e Kapitaleve
  3. Mënyrën e Mbikëqyrjes së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare mbi operatorët e tregut
  4. Organizimin e Bursës së Titujve dhe Tregjeve të Rregulluara
  5. Organizimin e Depozitarit Qëndror dhe Shtëpive të Klerimit dhe Shlyerjes
  6. Përcaktimin e kushteve për emetimin në Ofertën Private dhe Publike

Në këtë diskutim së bashku me Bursën ALSE morën pjesë dhe operatorët e tjerë të tregut si Shoqëritë Komisionere, Fondet e Investimeve dhe Institucione të Mikrofinancës, duke shprehur komentet e tyre mbi këtë draft me qëllim përmirësimin e cilësisë së tij.

Ekspertët e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare si dhe konsulentët e Bankës Botërore u angazhuan t’i shqyrtonin me vëmendje komentet e operatorëve të tregut dhe morën përsipër adresimin e tyre aty ku ka hapësirë dhe në përputhje me procesin e harmonizimit të legjislacionit me direktivat e Bashkimit Europian.