Ditën e sotme datë 08.11.2018 Bursa Shqiptare e Titujve ALSE zhvilloi takim me përfaqësues të Bankës Botërore në kuadër të përgatitjes nga ana e Bankës Botërore të Raportit të Observimit të Kodeve dhe Standarteve (ROSC) për Auditimin dhe Kontabilitetit, si pjesë e projektit të mbështetur nga Qendra për Reformën në Raportimin Financiar (CFRR).
Gjatë këtij takimi z.Gjergji shprehu mbështetjen e tij në nismën e ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare lidhur me luftën kundër Evazionit Fiskal dhe Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit. Megjithatë, me qëllim arritjen e objektivave në mënyrë më eficiente në këtë drejtim ALSE sugjeron që këto reforma nuk duhet të mbeten vetëm në nivel operacional (psh kontrolle të shpeshta të organeve tatimore apo ligj-zbatuese), por duhet të kalojnë dhe në reforma të një niveli strukturor.
Z.Gjergji u shpreh se reformimi strukturor duhet të mbështetet në tre drejtime kryesore të cilat lidhen kryesisht me:
1. Vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm mes Qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë lidhur me një zbatim më rigoroz të politikës së kreditimit të biznesit bazuar vetëm në Pasqyrat Financiare të deklaruara zyrtarisht në organet tatimore;
2. Mbështetjen dhe nxitjen e zhvillimit të tregut të kapitaleve në vend dhe Bursës Shqiptare të Titujve ALSE si një nga shtyllat kryesore që, ndër të tjera mbështesin në mënyrë të pakushtëzuar luftën kundër Evazionit Fiskal për shkak të nivelit të lartë të transparencës financiare që kërkohet në këtë treg të rregulluar.
3. Rritjen e cilësisë së të dhënave financiare dhe procesit të kontabilizimit e auditimit, proces i cili duhet të realizohet nëpërmjet:
- standardizimit të publikimeve të raporteve financiare (aktualisht në zbatim);
- ndërmarrjen e nismave për një certifikim dhe kontroll më rigoroz të profesioneve të kontabilistëve dhe audituesve ligjorë;
- mbështetjes dhe ngritjes së kompanive të vlerësimit të riskut (rating) për emetuesit që duan të listojnë titujt e tyre në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE si dhe ;
- nxitjen dhe promovimin e zbatueshmërisë së Parimeve të Mirëqeverisjes së Korporatave (Corporate Governance Principals).
Në mbyllje z.Gjergji informoi ekspertët e Bankës Botërore në lidhje me kriteret e raportimit financiar që kërkohen aktualisht nga kuadri rregullativ i Bursës Shqiptare të Titujve ALSE para procesit të listimit (1- 2 vite pasqyra financiare sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar). Gjithashtu bazuar në kuadrin rregullativ kërkohet një raportim periodik (1 herë në vit) nga subjektet e listuara me publikimin e pasqyrave financiare sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar në faqen zyrtare të Bursës ALSE.
