Grupi Balfin, më i madhi në vend, do të ofrojë për herë të parë instrumente financiare afatshkurtër (dëftesa tregtare borxhi), me interes 2 pikë përqindjeje më të lartë se bonot e thesarit të qeverisë. First Investment Bank është banka kujdestare dhe agjenti, që do të kryejë mbledhjen dhe pagesën e fondeve. BKT ka blerë dëftesat e para me vlerë 70 milionë lekë. Si funksionon dhe sa është risku
Ashtu si qeveria emeton bono thesari apo obligacione për të mbuluar nevojat e saj për likuiditet, edhe kompanitë private në Shqipëri kanë filluar të emetojnë dëftesat e tyre tregtare të borxhit. Grupi Balfin, më i madhi në vend, do të ofrojë për herë të parë instrumente financiare afatshkurtër, çka nënkupton se grupi do të japë premtim për pagesa afatshkurtra, ndërsa blerësi do të marrë në momentin e maturimit paratë e investuara dhe një interes që është 2 pikë përqindjeje më i lartë se ai i bonove të thesarit (aktualisht interesat e bonove 12-mujore janë 1.2%; 6-mujore 0.95% dhe 3-mujore 0.9%). Strategjia është që Balfin të lëshojë instrumente borxhi afatgjatë dhe në një të ardhme të afërt të listohet edhe në bursë, ku do të ketë mundësi edhe më të mëdha për sigurimin e mjeteve alternative jo vetëm të financimit, por edhe të investimit. Më të mundshëm grupi shikon listimin në një bursë rajonale. Grupi Balfin kishte një xhiro vjetore rreth 500 milionë euro në 2015-n, me investime në mbi 10 vende të botës.
Në botë instrumentet financiare janë mjaft të zhvilluara për kompanitë, ndërsa në Shqipëri nuk përdoren për një sërë faktorësh si mungesa e një tregu të zhvilluar kapitalesh, informaliteti i lartë, niveli relativisht i ulët i zhvillimit të kompanive etj. Por, teksa kredia në banka është shtrënguar nga njëra anë dhe disa grupe të mëdha po zhvillohen dhe kërkojnë më shumë alternativa nga ana tjetër, fazat e para të tregut të kapitaleve po formësohen në Shqipëri, ndonëse bursa ende mungon.
