Obligacionet e Credins Bank – AMF miraton emetimin e radhës

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratoi javën e kaluar prospektin për emetimin e radhës të obligacioneve nga Credins Bank.

Sipas vendimit, Credins do të emetojë obligacione të reja për shumat 2 milionë euro, 500 mijë dollarë amerikanë dhe 400 milionë lekë.

Sipas prospektit të emetuesit, obligacionet do të jenë të konvertueshme në aksione të Credins Bank. Kjo nënkupton që blerësi mund të zgjedhë që të përfitojë aksione të bankës në vend të shlyerjes së obligacionit.

Emetimi i obligacioneve është një praktikë që Credins Bank e ndjek prej pesë vitesh tashmë, duke u bërë kompania e parë e parë në tregun shqiptar që aplikon huamarrjen përmes instrumenteve të tregut financiar.

Deri tani, emetimi i obligacioneve është bërë me ofertë private, duke ua ofruar blerësve të përzgjedhur nga banka. Kjo ndodh kryesisht sepse në Shqipëri ende nuk ka një bursë, që do të mundësonte emetimin e titujve me ofertë publike dhe tregtimin e lirë të tyre.

Por, rritja e emetimit të instrumenteve të borxhit koorporativ është sinjal se bursa po bëhet gjithnjë e më shumë një nevojë e tregut financiar. Në vitet e fundit, përveç Credins Bank, edhe fondi Besa dhe grupi Balfin kanë emetuar instrumente borxhi me ofertë private.

Tregu është në pritje të licencimit të bursës së parë private në Shqipëri, pasi aplikimi është paraqitur afro një vit më parë pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.