Bursa Shqiptare e Titujve ALSE trajnon Audituesit e Brendshëm në Shqipëri

Bursa Shqiptare e Titujve ALSE mori pjesë në seminarin e organizuar nga Instituti Shqiptar i Audituesve te Brendshëm me datën 24.05.2018, i cili kishte si qëllim trajnimin e audituesve të brendshëm të çertifikuar për të ushtruar aktivitetin ne Republikën e Shqipërisë.

Në këtë aktivitet, Drejtori Ekzekutiv i Bursës ALSE, z. Artan Gjergji mbajti për audiencën një referat që fokusohej tek zhvillimet e fundit në tregun e kapitaleve dhe krijimin e Bursës Shqiptare të Titujve ALSE, e cila ka marrë licensën nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare që në Korrik 2017 si dhe ka filluar aktivitetin e tregtimit në tituj të borxhit të Qeverisë që në Shkurt 2018.

Më tej referati u fokusua në lidhjen e ngushtë që ka zhvillimi i tregut të kapitleve dhe aktiviteti i Bursës me parimet e Mirëqeverisjes së Korporatave (Corporate Governance Principles), ndër të cilat roli i audituesit të brendshëm është i një rëndësie të veçantë. Më konkretisht, z. Gjergji theksoi domosdoshmërinë e përfshirjes së procesit të auditimit të brendshëm në dy grupet kryesore të interesit me të cilat Bursa ka kontakt të drejtpërdrejtë siç janë kompanitë e listuara në bursë dhe ndërmjetësit financiarë të specializuar për transaksione në Bursë (bankat dhe firmat e brokerimit). Pjesëmarrësit në takim u informuan me rolin specifik që mund të luajnë audituesit e brendshëm në strukturën e një kompanie të listuar në Bursë si dhe në strukturën e ndërmjetesve financiarë që ushtrojnë aktivitetin në Bursë.

Audituesit e brendshëm pjesëmarrës në seminar u interesuan më në detaje për procedurat e emtimit të titujve dhe ofertën publike e private, procesin e miratimit në AMF të prospektit si dhe mundësinë e kuotimit të këtyre titujve në Bursë.

Bursa Shqiptare e Titujve ALSE trajnon Audituesit e Brendshëm në Shqipëri