Oferta Private Kundrejt Ofertës Publike

Oferta Private përfaqëson një ofertë për shitje të letrave me vlerë (titujve) direkt vetëm një grupi të vogël investitorësh të mëdhenj, ose një numri të kufizuar investitorësh institucionale (më pak se 100 investitorë).

Ndër investitorët kryesorë institucionalë (por pa u limitar me ta) përfshihen:

  1. Banka
  2. Fonde Pensioni
  3. Fonde Investimi
  4. Forma të tjera investitorësh institucionalë si Hedge Funds, Venture Capital etj.

Oferta Private përmban risk likuiditeti pasi zakonisht investitori nuk ka në treg sekondar ku mund ta ri-shesë letrën me vlerë (titullin) që ka blerë. Për rrjedhojë në Ofertën Private mund të jetë e vështirë tërheqja e blerësve.

Përfitimet e Ofertës Private janë:

  • Lejon emetuesin të zgjedhë investitorët;
  • Lejon emetuesin të shmangë hyrjen e aksionarëve të rinj në strukturën aksionare aktuale të kompanisë;
  • Mundëson kthim nga investimi në periudhë afatgjatë.

Oferta Publike konsiderohet cdo emetim i letrave me vlerë (titujve) të të gjitha klasave (përfshirë titujt e borxhit) tek publiku. Në bazë të Ligjit për Tituj, konsiderohet që një ofertë titujsh është Ofertë Publike kur ajo u ofrohet me mjete të informimit publik (media) të paktën 100 investitorëve. Oferta publike mund të jetë Ofertë Publike Fillestare (IPO) ose Ofertë Publike Sekondare (SPO). Në një ofertë publike mund të ofrohen edhe tituj borxhi (obligacione, letra tregtare) edhe tituj të kapitalit (aksione).

Në mënyrë që një emetim të konsiderohet publik duhet të plotësohen kushtet si më poshtë:

  1. Oferta duhet t’u shitet më shumë se 100 investitorëve;
  2. Shoqëria duhet të listohet paralelisht në Bursë, në mënyrë që t’i japë mundësinë investitorëve të vegjël të kthejnë në likuid investimin;
  3. Gjatë emetimit të ofertës fillestare publike duhet të nisin një fushat reklamimi në media.

Përfitimet e ofertës publike janë:

Rritja e Fondeve – për t’u përdorur si investime në drejtim të rritjes së volumit të aktivitetit të subjektit juridik i cili emeton letrat me vlerë (titujt). Zakonisht, këto janë subjekte në fazë të fuqishme ekspansioni dhe në mungesë të kapitalit të nevojshëm për të financuar këtë rritje.

Realizimi i Fitimit – për të vlerësuar biznesin e tyre me çmimin e tregut dhe për të kthyer në të ardhura likuide (cash out) vlerën reale të zotërimeve që kanë aksionerët në kompani. Zakonisht, këto janë kompanitë të cilat kanë qenë të suksesshme në treg dhe janë në fazë maturimi.

Prestigj – kompani apo subjekte juridike të cilat nuk kanë nevojë për rritje fondesh, apo për të kthyer në likuide vlerën e zotërimeve të tyre, por që e shikojnë listimin në bursë si një prestigj dhe reklamë pozitive për biznesin e tyre.

Oferta Private Kundrejt Ofertës Publike