Leksion i hapur në FASTIP dhe UAMD “Tregjet Financiare dhe Bursa Shqiptare e Titujve”

Sot më datë 17.01.2019, në ambientet e Universitetit Aleksandër Moisiu Durrës (UAMD) u organizua leksion i hapur me temë “Tregjet Financiare dhe Bursa Shqiptare e Titujve ALSE”. Në këtë event morën pjesë anëtarë të stafit akademik dhe shkencor universitar si dhe studentë të Fakultetit të Shkencave të Integruara me Praktikën (FASTIP) dhe Fakultetit të Biznesit.

Drejtori Ekzekutiv i Bursës Shqiptare të Titujve ALSE, z. Artan Gjergji, u fokusua tek premisat e zhvillimit të tregut të kapitaleve dhe bursës së titujve në Shqipëri. Gjithashtu, Z. Gjergji informoi pjesëmarrësit e këtij leksioni rreth mundësive apo rrugëve që duhet të ndjekin investitorët për të investuar në ALSE.

Pjesëmarrësit në këtë aktivitet treguan shumë interes mbi mënyrën e funksionimit të Bursës ALSE dhe ngritën një sërë pyetjesh të cilat lidheshin kryesisht me mënyrën e emetimit të obligacioneve korporative nëpërmjet ofertës private dhe publike, mbi rregullat e licensimit dhe anëtarësimit në Bursë të ndërmjetësve financiarë, kostove dhe përfitimeve të firmave të brokerimit etj.

Në vazhdim të nismës për edukimin financiar që është ndërmarrë nga Bursa ALSE, u diskutua me rektoratin për një bashkëpunim të mëtejshëm institucional dhe shkencor midis Bursës ALSE dhe dy fakulteteve të Universitetit Aleksandër Moisu Durrës: FASTIP dhe Fakulteti i Biznesit.

Leksion i hapur në FASTIP dhe UAMD “Tregjet Financiare dhe Bursa Shqiptare e Titujve”