Leksion i hapur “Bursa e Shqipërisë si mundësi alternative investimi në Shqipëri”
ALSE së bashku me Kolegjin Universitar të Biznesit (KUB) organizuan ditën e mërkurë datë 25 Prill 2018 në mjediset e KUB leksionin e hapur me temë “Bursa e Shqipërisë si mundësi alternative investimi në Shqipëri”. Ky leksion u drejtua nga z. Artan Gjergji, Drejtor Ekzekutiv i Bursës ALSE.
Në këtë event morën pjesë studentë dhe pedagogë të fushës së Ekonomisë dhe Drejtësisë të ciklit Bachelor dhe Master. Gjatë këtij leksioni, pjesëmarrësit u njohën me arkitekturën e tregut financiar në Shqipëri, rolin e tregut primar dhe atij sekondar të titujve si dhe në identifikimin e operatorëve kryesor të tregut të tillë si emetuesit, ndërmjetësit financiar, investitorët e thjeshtë e ata institucionalë si dhe rregullatorët. Leksioni u ndal kryesisht në rolin që luajnë këta operatorë në tregun e kapitaleve, arsyet që i shtyjnë t’i drejtohen Bursës dhe rrugën që duhet të ndjekin për të qenë pjesë e saj.
Një hapësirë e veçantë iu dedikua mënyrës së funksionimit të ALSE si bursa e parë Shqiptare, karakteristikave dhe mënyrës së organizimit të saj.
