Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar raportin e radhës për Shqipërinë ku analizohet situata ekonomike përgjatë vitit 2016, përmbushja e detyrimeve të palës shqiptare në programin e rimëkëmbjes ekonomike dhe pritshmëritë për pjesën e mbetur të vitit. Sa i përket situatës ekonomike të vendit, FMN në raport evidenton se janë bërë hapa të rëndësishëm dhe se rritja ekonomike po përshpejtohet ndërsa borxhi publik vijon të shkojë në rënie. Avancimi me reformat strukturore në sektorin e energjisë apo pensioneve nga qeveria vleresohen si hapa pozitivë ndërsa nuk lihet jashtë vëmendjes as miratimit i reformës në drejtësi që konsiderohet si një moment i rëndësishëm në avancimin e vendit në procesin integrues. Megjithatë, në raport theksohet se prioritetet e radhës mbeten zbatueshmëria e reformave dhe ulja e nivelit të kredive joperformuese, që vlerësohen si risqet kryesore për ekonominë. Sa i përket kreditimit të ekonomisë, në raport evidentohet se sistemi bankar mbetet solid dhe likuid megjithatë kreditimi i ekonomisë është ende nën potencial. “Vështirësitë me zbatimin e kontratave dhe ekzekutimin e kolateralit në sistemin gjyqësor pengojnë kreditimin e ri, ndërkohë që kreditë joperformuese, edhe pse në rënie mbeten sërish në nivel të lartë duke arritur në 19.5 për qind të nivelit të kredive”. Veç analizimit të gjendjes ekonomike, Fondi Monetar Ndërkombëtar bën në këtë raport edhe disa parashikime. Sa i përket rritjes ekonomike,projeksionet janë që ajo të jetë në nivelin 3.4 për qind. Kjo rritje pritet të mbështetet nga fluksi i investimeve të huaja direkte dhe nga kërkesa e brendshme. Sa i përket inflacionit, pritshmëritë janë që të ketë një rritje në gjysmën e dytë të vitit e mbështetur nga një rimëkëmbje graduale e çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve.
