ALSE / SHËRBIMET / LISTIMI / Veprimet Korporative
Veprimet Korporative
Regjistrimi i Titujve (Format Elektronik)
Regjistrimi i Titujve lidhet me procesin e shndërrimit të çertifikatës, që tregon zotërimin e një titulli, nga forma fizike (pra letër) në formë elektronike. Ky proces njihet me termin “dematerializim” (book-entry) dhe realizohet vetëm nga ndërmjetës financiarë të specializuar dhe të licensuar nga rregullatorët që quhen “regjistrarë titujsh”.
Bazuar në Ligjin për Titujt nr. 9879 datë 21.02.2008 “Titujt e dematerializuar janë regjistrimet elektronike të një llogarie titujsh në sistemin kompjuterik të regjistratrit, me anë të të cilit emetuesi merr përsipër të përmbushë, kundrejt mbajtësit të të drejtave, detyrimet që përmbahen në titujt.”
Në Shqipëri, insitucioni i licensuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe që kryen funksionet e regjistrimit të titujve të emetuar nga subjekte të ndryshme nga Qeveria, si dhe institucioni që kryen menaxhimin e shërbimeve të likuidimit dhe shlyerjes së transaksioneve të këtyre titujve është Regjistri Shqiptar i Titujve ALREG.
Regjistrimi i titujve sjell reduktimin në zero të riskut që mbartin investitorët lidhur me vjedhjen, humbjen e çertifikatave të zotërimit të titujve të tyre ose të sigurimit të titujve të rremë.
Depozitari i Titujve dhe Mbajtja e të Dhënave
Depozitari është një institucion financiar që kryen profesionalisht shërbimin e kujdestarisë (mbajtjes së të dhënave) dhe administrimin e letrave me vlerë (titujve) ose instrumentave të tjera financiare në emër të palëve të treta.
Nëpërmjet pagesës së një komisioni, depozitari kryen të gjitha operacionet që lidhen me depozitimin dhe administrimin e centralizuar të instrumentave financiare. Të gjitha letrat me vlerë (titujt) menaxhohen në një formë të dematerializuar (format elektronik).
Në Shqipëri, Regjistri Shqiptar i Titujve ALREG kryen funksionet e depozitarit të instrumentave financiare të emetuar nga subjekte të ndryshme nga Qeveria, si dhe menaxhimit të shërbimeve të klerimit dhe shlyerjes për transaksionet e letrave me vlerë, përmes menaxhimit të sistemit QuickClear.
Klerimi dhe Shlyerja
Klerimi dhe Shlyerja është procesi i llogaritjes së detyrimeve reciproke të tregtimeve të kryera nga Shoqëritë Komisionere në Bursë ose jashtë saj dhe transferimi i pronësisë së titujve kundrejt pagesës.
Klerimi dhe Shlyerja lidhen me fazën e pas-tregtimit.
Klerimi
Klerimi është faza e parë e pas-tregtimit, e cila ndodh pasi transaksioni është ekzekutuar dhe para shlyerjes finale të transaksionit. Klerimi është procesi i kontrollit dhe përditësimit të llogarive të palëve në transaksion dhe përgatitjen e tyre për transferimin e titujve dhe cash-it. Gjatë procesit të klerimit bëhet përlogaritja e detyrimeve neto (netizimi) i llogarive për palët në transaksion.
Shlyerja
Shlyerja është faza e fundit e procesit të pas-tregtimit dhe ka të bëjë me transferimin e cash-it dhe titujve (pozicionet neto) ndërmjet palëve në transaksion në ditën e përcaktuar për shlyerje.
Parimi që zbatohet për klerimin dhe shlyerjen e transaksioneve është parimi “dorëzim kundrejt pagesës” (DVP). Ekzistojnë 3 modele të DVP si më poshtë:
- Modeli 1 (gross-gross) – model shlyerje, i cili kryen shlyerjen finale të titujve dhe cashi-it sipas instruksioneve të dërguara një e nga një për çdo tregtim. Parimi është që në të njejtin moment që transferohet titulli te blerësi në atë moment transferohet dhe cash-i te shitësi.
- Modeli 2 (net-gross) – model shlyerje, i cili kryen shlyerjen finale sipas instruksioneve të dërguara pas “netizimit” (klerimit) të titujve ndërsa cash-i shlyhet në mënyrë të njëpasnjëshme për çdo transaksion.
- Modeli 3 (net-net) – model shlyerje i cili kryen shlyerjen pas netizimit të llogarisë së titujve dhe cash-it.
Institucionet e Klerimit dhe Shlyerjes në Shqipëri janë si më poshtë:
- AFISaR – për transaksionet me Titujt e emetuar nga Qeveria (bonot e thesarit, obligacionet e thesarit, bonot e Bankës së Shqipërisë) klerimi dhe shlyerja bëhët nga Sistemi Qendror i Regjistrimit dhe Shlyerjes së Titujve (AFISaR), që është shtëpia e klerimit e caktuar për këtë qëllim nga Qeveria Shqiptare dhe Banka e Shqipërisë.
- ALREG – për transaksionet me Tituj të emetuar nga subjekte të ndryshme nga Qeveria (tituj të emetuar kryesisht nga kompanitë), klerimi dhe shlyerja kryhet nga Regjistri Shqiptar i Titujve ALREG, që është shtëpia e klerimit e caktuar për këtë qëllim.
- Sistemi Shqiptar i Pagesave Ndërbankare AIPS – për shlyerjen e mjeteve monetare (cash).
Kujdestaria e Titujve
Kujdestari i Titujve është ai institucion financiar i licensuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare i cili ofron shërbimin e mbajtjes në kujdestari dhe administrimin e letrave me vlerë (titujve) ose instrumenteve financiare në emër të palëve të treta.
Ruajtja e letrave me vlerë (titujve), e cila zhvillohet kryesisht në një formë të dematerializuar, në sistemet e avancuara financiare kryhet nga Depozitari Qendror i Titujve (CSD).
Në bazë të nenit 72 të Ligjit për Tituj veprimtaritë e lidhura me kujdestarinë kryejnë funksionet si më poshtë:
- Mbajtja dhe rujtja e titujve.
- Raportimi për pagesat e dividendëve, interesave dhe instrumenteve të tjera të arkëtueshme.
- Informimi për takimet e emetuesve të titujve dhe të drejtat e lidhura me aksionet dhe titujt e tjerë, të vënë në kujdestari dhe ekzekutimi i porosive (urdhrave) të klientëve për përmbushjen e këtyre të drejtave.
- Informimi për ndryshimet ligjore, të cilat, drejtpërdrejt ose tërthorazi, prekin raportimin te klienti për gjendjen e llogarisë në kujdestari.
- Shërbimi i organizimit të asamblesë së përgjithshme të aksionarëve.
- Shërbime të tjera, të lidhura me titujt, si përmbushja e të drejtave dhe detyrimeve që dalin nga titujt, siç është rënë dakord ndërmjet klientit dhe kujdestarit dhe që nuk bien në kundërshtim me ligjin.
Shërbimi i kujdestarisë së titujve rregullohet me një kontratë, sipas së cilës kujdestari merr përsipër të kryejë një apo më shumë nga operacionet e përmendura, për llogari të klientit mbi bazën e një komisioni.
Operacionet e lidhura me kujdestarinë e titujve kryhen nga banka të autorizuara për kryerjen e kësaj veprimtarie, me vendim të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Për kryerjen e veprimtarisë së lidhur me kujdestarinë e titujve, kujdestari organizon njësi të veçanta brenda strukturës së vet.
Shpërndarja e Interesave
Obligacioni është një formë kredie që blerësi i tij i jep emetuesit. Në të njëjtën mënyrë si kredia, obligacioni paguan interes (në formën e kuponave) periodikisht dhe në datën e maturimit rikthen principalin (kryegjëja e investuar nga blerësi). Datat në të cilat mbajtësit e obligacioneve marrin pagesat e kuponave (interesin) quhet data e pagesës së interesit. Zakonisht pagesa e kuponave të obligacioneve kryhet çdo 6 muaj.
Organizimi i Asamblesë së Aksionarëve
Sipas ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, shoqëritë aksionare duhet të organizojnë mbledhjen e Asamblesë së Aksionarëve të paktën një herë në vit. Gjatë mbledhjes së Asamblesë së Aksionarëve, drejtuesit i prezantojnë raportin vjetor aksionarëve lidhur me performancën dhe strategjitë e kompanisë. Gjitashtu në Asamblenë e Aksionarëve miratohet Këshilli Mbikëqyrës i kompanisë.
