ALSE / SHËRBIMET / LISTIMI / Procesi i Listimit dhe Hapat
Oferta Private Kundrejt
Ofertës Publike
Shitje direkte në një grup të kufizuar investitorësh
Oferta Private përfaqëson një ofertë për shitje të letrave me vlerë (titujve) direkt vetëm një grupi të vogël investitorësh të mëdhenj, ose një numri të kufizuar investitorësh institucionale (më pak se 100 investitorë).
INVESTITORËT KRYESORË INSTITUCIONALE
Risk likuiditeti
Zakonisht investitori nuk ka treg sekondar ku mund ta ri-shesë titullin e blerë. Për rrjedhojë, në Ofertën Private mund të jetë e vështirë tërheqja e blerësve.
PËRFITIMET
- Lejon emetuesin të zgjedhë investitorët.
- Lejon emetuesin të shmangë hyrjen e aksionarëve të rinj në strukturën aksionare aktuale.
- Mundëson kthim nga investimi në periudhë afatgjatë.
Emetim ndaj publikut, i shoqëruar me listim
Oferta Publike konsiderohet çdo emetim i letrave me vlerë të të gjitha klasave (përfshirë titujt e borxhit) tek publiku. Sipas Ligjit për Tituj, një ofertë tituj është Ofertë Publike kur u ofrohet me mjete të informimit publik (media) të paktën 100 investitorëve. Ajo mund të jetë Ofertë Publike Fillestare (IPO) ose Ofertë Publike Sekondare (SPO), me tituj borxhi (obligacione, letra tregtare) dhe/ose tituj kapitali (aksione).
KUSHTET E EMETIMIT PUBLIK
Mbi 100 investitorë
Oferta duhet t'u shitet më shumë se 100 investitorëve.
Listim paralel në Bursë
Shoqëria duhet të listohet paralelisht në Bursë, që investitorët e vegjël të kthejnë në likuid investimin.
Fushatë reklamimi
Gjatë emetimit të ofertës fillestare publike duhet të nisë një fushatë reklamimi në media.
Përfitimet
Përfitimet e Ofertës Publike
Rritja e Fondeve
Për t’u përdorur si investime në rritjen e volumit të aktivitetit të subjektit emetues. Zakonisht janë subjekte në fazë të fuqishme ekspansioni, në mungesë të kapitalit për ta financuar këtë rritje.
Realizimi i Fitimit
Për të vlerësuar biznesin me çmimin e tregut dhe për të kthyer në të ardhura likuide (cash out) vlerën reale të zotërimeve të aksionerëve. Zakonisht janë kompani të suksesshme në fazë maturimi.
Prestigj
Kompani që nuk kanë nevojë për fonde apo likuiditet, por që e shohin listimin në bursë si prestigj dhe reklamë pozitive për biznesin e tyre.
Llojet e ofertës publike
Oferta Publike Fillestare (IPO) dhe Sekondare (SPO)
Oferta Publike Fillestare (IPO)
Është shitja e titujve të një kompanie private për herë të parë tek publiku dhe listimi në bursë me qëllim rritjen e kapitalit si një mënyrë efikase e financimit të aktivitetit. IPO konsiderohet edhe si hapja e parë e strukturës aksionare të një kompanie ndaj kontributit financiar dhe pjesmarrjes së publikut investitor si aksioner në kompani. Listimi në bursë është një detyrim për kompaninë që ofron aksionet në publik, pasi nëpërmjet këtij veprimi u jep mundësinë investitorëve (publikut) që nëse duan të dalin nga investimi pas një periudhe të caktuar kohore, të kenë mundësi të kthejnë në likuide (shesin) aksionet që kanë blerë gjatë ofertës publike.
Oferta Publike Sekondare (SPO)
Është shitja e titujve për herë të dytë nga një kompani e cila ka emetuar më parë në ofertën publike. Qëllimi i ofertës publike sekondare e cila shihet edhe si shitje shtesë titujsh, është rritja e kapitalit për të kryer investime në kompani ose për të financuar borxhin e marrë më parë. Edhe titujt e emetuar nëpërmjet një SPO listohen në bursë që t’u krijojnë mundësi likuiditeti investitorëve të tyre.
