ALSE / SHËRBIMET / LISTIMI / Procesi i Listimit dhe Hapat
Procesi i Listimit dhe Hapat
ALSE
Proçedura e Aplikimit për listimin e Titujve në ALSE
Procedura e aplikimit për listimin e titujve në ALSE ndjek hapat e mëposhtëm.
-
1Formulari i AplikimitAplikimi për pranim në listim duhet të bëhet pranë ALSE duke depozituar Formularin e Aplikimit të nënshkruar siç duhet.
-
2Grafiku KohorALSE dhe Aplikanti mund të bien dakord për një grafik kohor lidhur me pranimin në listim.
-
3Agjenti i ListimitPërveçse nëse parashikohet ndryshe, Emetuesit duhet të caktojnë një Agjent Listimi për pranimin e parë në listim të Titujve dhe për çdo pranim vijues të Titujve që kërkojnë miratimin e një prospekti. Kërkesa për të caktuar një Agjent Listimi nuk cenon Ligjet Kombëtare lidhur me caktimin e Institucioneve Financiare ose të subjekteve të tjera të kualifikuara sa i përket një oferte publike ose ofertave të tjera të Titujve.
-
4Kërkesat ShtesëBazuar në Rregullore, nëse e gjykon të përshtatshme ALSE mund: 1) të vendosë, rast pas rasti, kërkesa shtesë për listim, për një Aplikant specifik. ALSE ia: 2) komunikon këto kërkesa në kohë Aplikantit, përpara se të marrë vendimin për aplikimin; 3) të kërkoj dokumentacione dhe informacione shtesë nga Aplikanti; ose 4) të kryej kërkime dhe hetime që mund të jenë të nevojshme, brenda arsyes, për shqyrtimin prej saj të një aplikimi për pranim në listim
-
5Periudha për Marrjen e VendimitMe përjashtim të rasteve kur është rënë dakord ndryshe, ALSE e merr vendimin lidhur me aplikimin për pranim në listim maksimumi brenda një periudhe tridhjetë (30) ditore.
-
6Vlefshmëria e VendimitVendimi i ALSE për të pranuar tituj në listim do të mbetet i vlefshëm për një periudhë maksimale prej nëntëdhjetë (90) ditësh. Me kërkesë me shkrim të Aplikantit, ALSE mund ta shtyjë këtë periudhë maksimumi edhe për një periudhë tjetër nëntëdhjetë (90) ditore.
-
7Njoftimi për Pranimin në ListimALSE nxjerr një Njoftim të parë lidhur me datën në të cilën pranimi në listim të titujve hyn në fuqi.
Për informacion më të detajuar në lidhje me Hapat dhe Kriteret e Listimit në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE klikoni këtu
Dokumentet për Listim
Në momentin e aplikimit, për aq sa është e mundur, pranë ALSE duhet të paraqitet dokumentacioni i mëposhtëm:
(i) Formulari i Aplikimit i nënshkruar siç duhet nga Emetuesi;
(ii) Dokumentet e specifikuara në Formularin e Aplikimit, duke përfshirë por pa u kufizuar me dokumentacionin që sipas kërkesave të ALSE vërteton se:
- pozicioni ligjor dhe organizimi i Emetuesit janë në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi
- administrimi i veprimeve korporative dhe pagesa e dividendëve (nëse ka) janë të siguruara (ka një kontratë e nënshkruar me një kujdestar dhe/ose një Institucion Klerimi dhe Shlyerjeje); dhe
- disponohen procedura të përshtatshme për klerimin dhe shlyerjen e transaksioneve lidhur me Titujt përkatës (ka një kontratë të nënshkruar me një Institucion Klerimi dhe Shlyerjeje).
(i) një kopje të prospektit (kur kërkohet nga Ligjet Kombëtare) ose një dokument ekuivalent për publikimin e informacionit të plotë të lëshuar nga Emetuesi lidhur me aplikimin për listim dhe çdo version draft të këtij prospekti (ose dokument ekuivalent për publikimin e informacionit);
(ii) një kopje të vendimit nga organi ose organet përkatëse të Emetuesit që përmbajnë rezoluta të cilat autorizojnë aplikimin për pranim në listim dhe emetimin e Titujve (për aq sa është e mundur);
Ky dokumentacion i jepet ALSE vetëm nën përgjegjësinë e Aplikantit dhe për t’i mundësuar ALSE që të kontrollojë nëse Aplikanti i përmbush kërkesat rregullative për listim. ALSE nuk do të mbajë përgjegjësi për informacionin e rremë ose të paplotë që jepet nga Aplikanti (ose nga Emetuesi, pasi Titujt të jenë pranuar në listim) lidhur me pranimin në listim të titujve.
ALSE mund të specifikojë me anë të një Njoftimi dokumentet e tjera që duhet të paraqiten lidhur me klasa të caktuara titujsh.
I gjithë dokumentacioni i nevojshëm për listim duhet të jetë në gjuhën shqipe dhe nëse nevojitet, do të përkthehet nga një përkthyes i autorizuar, me përjashtim të rasteve kur ALSE vendos të pranojë dokumente në një tjetër gjuhë të huaj. Nëse adresa e regjistruar e Emetuesit ndodhet jashtë Zonës Ekonomike Evropiane (EEA), ALSE mund të kërkojë që pasqyrat financiare të Emetuesit të ri-deklarohen sipas Parimeve Përgjithësisht të Pranuara të Kontabilitetit (GAAP) ose Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS) të zbatueshme në juridiksionin në të cilin ALSE ka adresën e regjistruar dhe që ky rideklarim të kontrollohet nga një auditues i njohur prej saj.
Për informacion më të detajuar në lidhje me Hapat dhe Kriteret e Listimit në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE klikoni këtu
Prospekti dhe Aprovimi i Tij
Hapat që do të ndiqen deri në finalizimin e suksesshëm të emetimit të titujve të shoqërisë do të jenë si vijon:
Analiza financiare e subjektit dhe analiza e normave të interesit të tregut. Analiza financiare e subjektit do të mbështetet në informacionin financiar të tri viteve të fundit dhe atij korrent (tremujorit të fundit) si dhe parashikimit të akivitetit për të paktën afatin e titullit.
Analiza e normave të interesit të produkteve të financimit si dhe atyre të investimit në treg do të shërbejë për orientimin e shoqërisë lidhur me normën e interesit të titullit.
Norma e përshtatshme e interesit të titujve do të caktohet duke mbajtur gjithnjë në konsideratë shëndetin financiar të shoqërisë, riskun që ajo mbart dhe njëkohësisht normat e tregut.
Përgatitja e prospektit. Pas analizës financiare, përcaktimit të interesit/kuponit, vlerës nominale të titujve, afatit dhe elementëve të tjerë të titujve, do të hartohet prospekti i titujve.
Prospekti duhet të përmbajë (sipas nenit 29 të Ligjit për Titujt):
Të dhëna për titujt dhe emetimin
- Llojin dhe karakteristikat e titujve, numrin e përgjithshëm të tyre, si dhe përshkrimin e të drejtave që mbartin.
- Një përmbledhje, që përcakton shkurtimisht karakteristikat dhe risqet kryesore të mbajtësit të titullit, garantuesit dhe titujve të ofruar.
- Datën e fillimit të nënshkrimit, periudhën e nënshkrimit dhe pagesës.
- Përshkrimin e mënyrës së shpërndarjes së titujve, nëse nënshkruhen më shumë tituj nga sa emetohen.
- Emërtimin, selinë dhe adresën e veprimtarisë së personit që garanton, nëse ka të tillë.
- Emërtimin, selinë dhe adresat e veprimtarisë së personave, që garantojnë detyrimet e emetuesit për titullin.
- Emrat dhe adresat e institucioneve, përmes të cilave emetuesit do t’i përmbushin detyrimet që kanë ndaj pronarëve të titujve.
- Çmimin ose mënyrën e përcaktimit të çmimit të titujve.
- Procedurën e ushtrimit të së drejtës së parablerjes, si dhe pagesën.
- Qëllimin, për të cilin synon t’i përdorë fondet emetuesi.
Të dhëna për emetuesin e titujve
- Emri i shoqërisë, selia dhe adresa e veprimtarisë, data e themelimit të personit juridik, forma ligjore, numri i regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.
- Vlera e kapitalit të nënshkruar dhe e kapitalit të paguar dhe, në rastin e një shoqërie anonime, të dhëna të hollësishme për kapitalin themeltar.
- Nëse është filial ose shoqëri e kontrolluar nga një shoqëri tjetër, të dhëna për këtë shoqëri.
- Listën e aksionerëve, që zotërojnë mbi 5 për qind të numrit gjithsej të votave të asamblesë së përgjithshme, duke përcaktuar përqindjen e votave që zotëron secili.
Të dhëna për veprimtarinë e emetuesit
- Përshkrimi i objektit të veprimtarive të emetuesit dhe i rrethanave të mundshme, të jashtëzakonshme, të cilat kanë ndikuar apo ndikojmë në rezultatet e disa prej këtyre veprimtarive.
- Varësinë te patentat apo licencat, që u përkasin të tjerëve, apo kontrata me palë të treta, të cilat janë kusht i domosdoshëm për zhvillimin e veprimtarive të emetuesit.
- Të dhëna për investime të mëdha në realizim e sipër.
- Të dhëna bazë për konflikte gjyqësore ose ekzekutime të vendimeve gjyqësore, që mund të kenë efekt të ndjeshëm në gjendjen financiare të emetuesit.
- Faktorët e riskut, ndaj të cilëve është i zbuluar emetuesi, që mund të ndikojnë në ushtrimin e të drejtave mbi titujt, për të cilët është përgatitur prospekti, si dhe çmimin e tyre në treg.
Gjendja dhe rezultati financiar
- Pasqyrat individuale dhe pasqyrat e konsoliduara financiare, kur ekzistojnë dhe nëse emetuesi përgatit vetëm pasqyra të konsoliduara, ato përfshihen në prospekt, nëse emetuesi përgatit pasqyra individuale dhe pasqyra të konsoliduara, i përfshin ato në prospekt. Të dhënat e pasqyrave të ndryshme duhet të jepen në tabela, të cilat mundësojnë krahasimin e zërave të ndryshëm gjatë viteve financiare të njëpasnjëshme.
- Emrin e ekspertit kontabël, që ka certifikuar bilancin dhe nëse ky nuk ka pranuar ta nënshkruajë atë, ose nëse ka dhënë, me shkrim, mendimin profesional, ky informacion përfshihet në prospekt, së bashku me arsyet përkatëse.
Organet drejtuese
Emrat e plotë të anëtarëve të organeve vendimmarrëse, mbikëqyrëse apo ekzekutive të emetuesit ose të organeve të tjera të emetuesit, pavarësisht nga emërtimi që mbajnë në strukturën e tij, si dhe pozicionet që ata mbajnë në këto organe.
Deklarata e personave që nënshkruajnë prospektin
“Me besimin tonë maksimal dhe në bazë të të gjitha informacioneve dhe të dhënave, për të cilat jemi në dijeni, deklarojmë se të gjitha të dhënat, që përmbahen në këtë prospekt, përbëjnë paraqitje të plotë dhe të vërtetë të mjeteve dhe detyrimeve, fitimeve dhe humbjeve, gjendjes financiare dhe operacioneve të emetuesit, të të drejtave të lidhura me titujt, për të cilët është përgatitur ky prospekt dhe se nga ai nuk janë hequr fakte dhe të dhëna, të cilat mund të ndikojnë në plotësinë dhe vërtetësinë e këtij prospekti”
Prospekti nënshkruhet nga përfaqësuesi apo përfaqësuesit ligjorë të emetuesit ose nga të gjithë anëtarët e organit drejtues përkatës të emetuesit. Në prospekt deklarohen arsyet, për të cilat anëtarë të caktuar nuk kanë nënshkruar. Prospekti mund të nënshkruhet edhe nga persona të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë në nxjerrjen apo përgatitjen e të dhënave për prospektin.
Për informacion më të detajuar në lidhje me Hapat dhe Kriteret e Listimit në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE klikoni këtu
