AMF licencon fondin e investimit “Credins Premium”

BBordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në mbledhjen e datës 30 Maj, ka shqyrtuar dhe më pas miratuar licencimin e “Credins Invest”, Shoqëri Administruese e Fondeve të Pensionit dhe Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive, si dhe miratoi Fondin e Investimit “Credins Premium”.

Credins Invest është shoqëria e dytë në tregun Shqiptar që licencohet për të administruar sipërmarrje investimesh kolektive dhe fonde pensioni vullnetar. Ndërsa “Credins Premium” është fondi i tretë i investimeve që licencohet në nivel kombëtar.

Drejtor i Përgjithshëm i Credins Bank, Maltin Korkuti, shprehet se “miratimi i Fondit të investimit Credins Premium, shënon një zhvillim të rëndësishëm në tregun financiar shqiptar, duke zgjeruar alternativat e investimeve për qytetarët shqiptarë.

Fondi Credins Premium do t’i ofrojë investitorëve shqiptarë mundësinë për të investuar kursimet në Lekë, duke përfituar menaxhim profesional të portofolit të aseteve, likuiditet të garantuar të fondeve dhe kthim të kënaqshëm nga investimi.

Credins Bank zotëron 76% të aksioneve të Shoqërisë Administruese. Fondi do të ofrohet nëpërmjet rrjetit të degëve të Credins Bank, që do të veprojë si agjent i Credins Invest.

Shoqëria, që do të administrojë Fondin e Investimit “Credins Premium” operon në treg që në vitin 2011 dhe ka nën administrim Fondin e Pensioneve “SiCRED Pensions”.

Në fund të tremujorit të parë të vitit 2016, “SiCRED Pensions” kishte 5,242 anëtarë, me një total asetesh prej 162 milionë Lekë, duke u renditur si fondi i dytë në treg, përsa i përket numrit të anëtarëve. Zgjerimi i aktivitetit të Shoqërisë Administruese është një siguri e shtuar për anëtarët e fondit të pensioneve në drejtim të mirëadminsitrimit të fondit të tyre.