Bursa Shqiptare e Titujve ALSE ka marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare të organizuar në datën 27 Maj 2021 në Bukuresht të Rumanisë, nga BURSA Press Group në bashkëpunim me Shoqatën e Brokerave të Rumanisë, me temë ““Mundësitë e bashkëpunimit mes Bursave të Vendeve të Europës Qendrore e Lindore”.
Në qendër të këtij eventi, i cili u shfaq direkt në faqen e internetit www.bursa.ro, në mediat sociale dhe ato të partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, ishte fokusimi tek trendet e së ardhmes dhe mundësitë e zhvillimit të tregjeve rajonalë të kapitalit në Europën Qendrore e Lindore (CEE) dhe në Europën Jugore e Lindore (SEE). Gjatë kësaj konference virtuale u ndanë mendime mjaft të vyera mes drejtuesve të lartë të bursave kombëtare në rajon si Bursa Shqiptare e Titujve ALSE, Bursat e Beogradit, Bukureshtit, Budapestit, Bullgarisë, Lubjanës, Moldavisë, Vienës, Varshavës dhe Zagrebit. Gjithashtu, një feedback mjaft interesant erdhi nga përfaqësues të emetuesve të mëdhenj të listuar në bursat kombëtare të rajonit.
I ftuar si një folës kryesor në këtë event, Z. Artan Gjergji, Drejtor Ekzekutiv i Bursës Shqiptare të Titujve ALSE mbajti një prezantim ku njohu pjesëmarrësit me karakteristikat e tregut të kapitaleve në Shqipëri dhe sfidat me të cilat përballet për të arritur ritmin e zhvillimit të bursave të tjera në rajon. Në anën tjetër Z. Gjergji ndau qasje e tij në lidhje me zhvillimin potencial të tregjeve rajonale të kapitalit, duke sugjeruar idenë që bursat e mëdha e të mesme në CEE dhe SEE të marrin stafetën e bashkimit dhe/apo blerjes së pjesëve të kapitalit në bursat e vogla (specifikisht në vendet e Europës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor), me qëllim nxitjen e një procesi integrimi më të organizuar. Kjo mënyrë zhvillimi – tha Z. Gjergji, nuk do t’u transferojë bursave të vogla ekspertizën “know-how”, kapitalin dhe likuiditetin, por do të ndihmonte të gjithë tregun rajonal të kapitaleve të bëhej një qendër e rëndësishme financiare në sytë e aktorëve të mëdhenj të investimit të portofolit.
Në fund të konferencës, të gjithë përfaqësuesit e bursave të rajonit ranë dakord mbi nevojën e rritjes së vizibilitetit të tregjeve të kapitalit në CEE dhe SEE. Për këtë arsye, propozimi i Bursës së Bukureshtit dhe Shoqatës së Brokerave të Rumanisë në lidhje me ngritjen e një Grupi Pune të përbashkët për të parë mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen, gjeti një mbështetje unanime. Mes alternativave potenciale më të dakordësuara për bashkëpunim dominuan krijimi i produkteve financiare të përbashkëta, indekset, listimet e dyfishta, përdorimi i teknologjisë së përbashkët si dhe bashkimet dhe blerjet e mundshme mes bursave.
Për të dëgjuar të gjithë prezantimet e pjesëmarrësve klikoni këtu
