Organizohet webinari me temë “Mundësi të reja investimi në Shqipëri: Kriptovaluat, Blockchain dhe tregjet financiare nën dritën e ligjit për FinToken”.

 

Sot më datë 12 Tetor 2020, u zhvillua në mënyrë virtuale webinari me temë “Mundësi të reja investimi në Shqipëri: Kriptovalutat, Blockchain dhe tregjet financiare nën dritën e ligjit për FinToken”, i organizuar nga Confidustria Albania dhe studio ligjiore Tonucci & Partners. Në këtë webinar ishin të pranishëm, Z. Fabrizio Bucci, Ambasadori i Italisë në Tiranë, Znj.Vasilika Viero, Zv. Ministria e Financës dhe Ekonomisë, Z. Sergio Fontana, Presidenti i Confidustria Albania, pjesmarrës nga institucione të rëndësishme financiare në vend si dhe njohës të tjerë të fushës së Blockchain dhe të Kriptovalutave.

Në këtë event mbajti një prezantim të shkurtër Drejtori Ekzekutiv i Bursës Shqiptare të Titujve ALSE, Z. Artan Gjergji, i cili bëri një përmbledhje të zhvillimit të Bursës Shqiptare të Titujve ALSE duke dhënë një këndvështrim të përgjithshëm mbi arkitekturën e tregut të kapitaleve dhe industrisë së titujve në Shqipëri.

Më tej u shpjeguan disa koncepte të rëndësishme lidhur me aplikimin e Fintech dhe Blockchain në tregjet financiare dhe më specifikisht në tregun e titujve. Gjatë këtij prezantimi u theksuan dy pika kyce: Oferta Fillestare e Monedhave (ICO) dhe Oferta e Tokenave Digjital (STO). Gjithashtu u bë një përmbledhje e statistikave lidhur me gjendjen aktuale të tregut të Blockchain-it dhe Kriptovalutave nëpër botë.

Në vijim Z. Gjergji u zgjerua në benefitet që sjell STO, jo vetëm në sistemin financiar por edhe më gjërësisht në ekonomi. Në përfundim të prezantimit u adresuan sfidat dhe problemet në të cilat do të përballet industria e Blockchain në Shqipëri duke filluar nga mungesa e infrastrukturës, mungesa e operatorëve të tregut, procesi burokratik i licencimit dhe mbikëqyrjes, faza modeste e zhvillimit të tregut të kapitaleve në vënd, si dhe niveli i ulët i edukimit dhe përfshirjes financiare në publik.