Menu Close
Close
Generic selectors
Exact matches only
Search in title
Search in content
Post Type Selectors

Eurobondi të shtyhet në vjeshtë, interesat janë rritur

Flet Blodin Çuçi, administrator në Caesar Investment Advisory Services

Emetimi i eurobondit duhet të shtyhet për në vjeshtë ose në fund të vitit thotë Blodin Çuçi, administrator në Caesar Investment Advisory Services. Gjatë 10-vjeçarit të fundit, Shqipëria ashtu si dhe vende të tjera në zhvillim, ka rritur ekspozimin me borxh të jashtëm në formën e Eurobondeve. Në kushtet e reja të përkeqësimit të faktorëve makroekonomike që ka krijuar pandemia, investitorët në këto Eurobonde do të kërkojnë një normë interesi më të lartë në krahasim me periudhën pre-COVID-19, tha ai.

Çuçi tha se aktualisht çmimi i Eurobondit Shqiptar ka rënë dhe si rrjedhojë është rritur norma e interesit. Sot, Eurobondi Shqiptar 5-vjeçar tregtohet në rreth 3.4%. Pra, sipas perceptimeve të tregjeve financiare, nëse Republika e Shqipërisë do të emetonte sot një obligacion 5-vjeçar, norma e interesit minimale që do të paguante është 3.4%. Nga ana tjetër, nëse do të zgjidhej një afat maturimi më i gjatë, 7-vjeçar apo 10-vjeçar, norma e interesit do të kërkohej nga investitorët do të ishte me siguri më e lartë.

Para se të shpërthente pandemia e COVID-19, Shqipëria ishte në procedura për të emetuar një Eurobond të ri me vlerë 600 milionë euro, me afat maturimi 7-10 vjet. Në kushtet e reja që janë krijuar, a është i mundur të ekzekutohet një plan i tillë?

Kriza e krijuar nga pandemia COVID-19 ka vendosur në stres financat publike të qeverive në botë. Ndërprerja, e aktiviteteve ekonomike, tregtisë, mbyllja e bizneseve dhe rënia e besimit tek tregjet financiare botërore nga shpërthimi i pandemisë ka përkeqësuar ecurinë ekonomike dhe financat publike të këtyre shteteve.

Ngadalësimi apo rënia ekonomike së bashku me stimujt fiskalë në përgjigje të krizës gjithashtu pritet të rrisin barrën e borxhit për vitin 2020. Nëse në fillim të muajit prill, ende kishte dyshime për recesion, tashmë është i konfirmuar një recesion i thellë global i ekonomisë botërore.

Pra në tërësi, në kushtet aktuale të këtij recesioni, janë pikërisht qeveritë e shteteve sovrane që janë vendosur në linjë të parë për të përballuar efektet ekonomike të kësaj krize nëpërmjet përdorimit të financave publike.

Së pari, në përgjithësi, që nga fillimi i krizës, në tregjet financiare është vënë re një rritje e spread-eve të obligacioneve qeveritare, pikërisht duke reflektuar këtë pritje të investitorëve: qeverive të shteteve sovrane ju duhet të përballojnë efektet e krizës financiare, duke rritur borxhin publik të emetuar. Kjo rritje e spread-eve (shih grafikun 1) dhe si rrjedhim dhe normave të interesit ka goditur më shumë vendet në zhvillim, ku përfshihet edhe Shqipëria sesa vendet e zhvilluara.

 

Si rrjedhim, duke qenë se Shqipëria konsiderohet një vend në zhvillim, në kushtet e reja të krijuara nga pandemia dhe nga perceptimi që investitorët në tregjet e obligacioneve kanë, në këto çaste do të duhej të paguante një normë më të lartë interesi.

Për të kuptuar më thellë impaktin e pandemisë në ekonominë shqiptare dhe sidomos këndvështrimin dhe perceptimin e investitorëve, mjafton t’u referohemi agjencive të renditjes dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në analizën e saj të datës 17 mars 2020, agjencia e renditjes Standards and Poor’s, ka ndërtuar tre skenarë stresi mbi shtetet sovrane që do të goditen më shumë nga pandemia e koronavirust në terma të PBB-së, kjo vetëm si pasojë e rënies së turizmit. Në renditjen globale të vendeve të goditura nga pandemia, Shqipëria renditet e 13-a ku; në skenarin më të mirë, vetëm nga rënia e të ardhurave të turizmit, impakti në PBB është -1.46%, në skenarin mesatar goditja në PBB është -2.52%, ndërsa në skenarin ekstrem, goditja në terma të PBB-së është -3.58%.

Një pritje më të përgjithshme për goditjen në ekonominë shqiptare e jep Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili parashikon rënien e PBB-së në -5.2%, çka përkthehet në -700 milionë euro më pak në terma absolutë krahasuar me PBB-në shqiptare në vitin 2019. Burimi: https://www.spglobal.com/ratings/en/research/articles/200317-stress-scenario-the-sovereigns-most-vulnerable-to-a-COVID-19-19-related-slowdown-in-tourism-11387024

Së dyti, në tregjet financiare po vihet re një ulje e përgjithshme e likuiditetit, çka tregon se jemi në një periudhë pritje nga ana e investitorëve derisa të kuptohet dhe analizohet më thellë ndikimi i pandemisë tek treguesit makroekonomikë të shteteve. Ky indikator kushtëzon periudhën e daljes në treg të Eurobondit Shqiptar. Do të duhet që investitorët të kenë më shumë qartësi në impaktin global të pandemisë për të pasur besimin e duhur dhe për të investuar në tregjet financiarë.

Në përfundim, përkeqësimi i kushteve të tregjeve financiare ndërkombëtare, përkeqësimi i pritshëm i treguesve makroekonomikë dhe paqartësia në kohëzgjatjen e pandemisë, bëjnë të pafavorshëm emetimin për periudhën maj-qershor 2020, siç ishte planifikuar paraprakisht dhe bëjnë të nevojshme shtyrjen e emetimit për në periudhën tetor – nëntor 2020 ose gjatë vitit 2021.

Nëse po, çfarë kostosh do të kishte emetimi i tij?

Gjatë 10-vjeçarit të fundit, Shqipëria ashtu si dhe vende të tjera në zhvillim, ka rritur ekspozimin me borxh të jashtëm në formën e Eurobondeve. Në kushtet e reja të përkeqësimit të faktorëve makroekonomikë që ka krijuar pandemia, investitorët në këto Eurobonde do të kërkojnë një normë interesi më të lartë në krahasim me periudhën pre-COVID-19.

Në këtë këndvështrim, mund të flasim me bindje se për 2-3 vitet në vijim kemi hyrë në një regjim me norma më të larta interesi për vendet në zhvillim. Nga ky perceptim, sigurisht që do të goditen edhe emetimet e Eurobondeve të ardhshme të Republikës së Shqipërisë. Nëse do të bënim një krahasim sasior, vihet re se për vendet me renditje të njëjtë me të Shqipërisë, normat e interesit janë aktualisht në nivelin 3-4% për obligacionet 5-vjeçare dhe 5.5-6% për obligacionet 10-vjeçare. Për shembull, aktualisht, Eurobondi Turk (renditja B+) me maturim në vitin 2025 po tregtohet në pellgun 4% normë interesi. Eurobondi i Malit të Zi (renditja B+) me afat maturimi në vitin 2025 tregtohet me 3.4%.

Grafiku i mëposhtëm tregon rënien e çmimit të Eurobondit Shqiptar dhe si rrjedhojë rritjen e normës së interesit. Sot, Eurobondi Shqiptar 5-vjeçar tregtohet në pellgun 3.4%. Pra, sipas perceptimeve të tregjeve financiare, nëse Republika e Shqipërisë do të emetonte sot një obligacion 5-vjeçar, norma e interesit minimale që do të paguante është 3.4%. Nga ana tjetër, nëse do të zgjidhej një afat maturimi më i gjatë, 7-vjeçar apo 10-vjeçar, norma e interesit do të kërkohej nga investitorët do të ishte me siguri më e lartë.

 

Burimi: Bursa e Frankfurtit

A mund të ishte tregu i brendshëm një mundësi për financimin e nevojave?

Tregu i brendshëm gjithmonë ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë një burim i mirë financimi për borxhin e qeverisë. Ankandi i qeverisë për obligacion të brendshëm në monedhën Euro edhe një herë tregoi se kërkesa e brendshme për të blerë borxh të qeverisë në këtë monedhë është e lartë. Këtë e tregoi kërkesa prej 160 milionë eurosh kundrejt 100-120 milionë euro të ofruara.

Duke parë dhe duke analizuar strukturën e likuiditetit të institucioneve financiare dhe sistemit në përgjithësi dhe mungesën e alternativave financiare të investimit, emetimet e brendshme të borxhit të qeverisë janë të favorizuara.
Nga ana tjetër, do të dëshiroja të theksoja se nevoja minimale e qeverisë për të emetuar në funksion të rinovimit është vetëm 250 milionë euro, çka është një shumë relativisht e vogël krahasuar me likuiditetin e sistemit financiar.

A ka burime dhe alternativa të tjera që një qeveri të sigurojë borxhe në kushtet e reja që pandemia ka krijuar?

Burimet alternative të qeverive në përgjithësi janë të shumta. Një ndër alternativat më tradicionale është përdorimi i të ashtuquajturave hua tregtare të drejtpërdrejta nga institucione financiare, siç ishte rasti i Lituanisë ku nënshkroi një marrëveshje financimi prej 2.5 miliardë euro me Nordic Investment Bank për financimin e pasojave të pandemisë. Në këtë kontekst, qeveria shqiptare mund ose t’i drejtohet një sindikate të përbërë nga bankat shqiptare për nevojat e saj ose t’i drejtohet institucioneve financiare ndërkombëtare.

Burimi: Revista Monitor