Licencohet ALREG – AMF “hap rrugën” e bursës për kompanitë private

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare licencoi të enjten shoqërinë “Regjistri Shqiptar i Titujve – ALREG”.

Licencimi i ALREG ishte një hap i domosdoshëm për të mundësuar tregtimin e titujve privatë në Bursë.

Tregtimi në bursë nuk mund të bëhet pa pasur një regjistër ku të mbahen të dhënat e pronësisë mbi titujt dhe të ekzekutohen transaksionet me to. Megjithatë, ALREG do të ketë nevojë edhe për një licencë të dytë, para se të nisë aktivitetin.

Licenca e dhënë të enjten nga AMF i jep të drejtën për regjistrimin e titujve, ndërkohë që ALREG duhet të aplikojë edhe pranë Bankës së Shqipërisë për t’u licencuar si sistem për shlyerjen e pagesave që ekzekutohen në bursë.

Pasi të licencohet edhe nga Banka e Shqipërisë, ALREG do të kryejë të gjithë procesin e klerimit dhe shlyerjes se transaksioneve në tituj të biznesit, duke i mundësuar Bursës Shqiptare të Titujve, ALSE, hapjen e tregut për tregtimin e aksioneve dhe obligacioneve të korporatave.

Sipas drejtuesve të Bursës, hapja e bursës për kompanitë private do të bëhet brenda 6-mujorit të parë të këtij viti.

Megjithatë, aktiviteti i ALREG nuk do të jetë vetëm në funksion të bursës, por do të shërbejë edhe si një regjistër i titujve që tregtohen në rrugë private, përfshi aksionet e shoqërive tregtare apo titujt e borxhit.

Ersuin Shehu/SCAN