“Raiffeisen Vizion”, fondi më i ri nga Raiffeisen Invest: Një alternativë më shumë për investime në Lekë

Raiffeisen Invest sh.a është shoqëria që hodhi bazat e tregut të fondeve të investimit në Shqipëri dhe e zhvilloi atë, falë bashkëpunimit dhe mbështetjes nga AMF. Pas suksesit të Fondit Prestigj dhe fondit Raiffeisen Invest Euro, RIAL i ofron investitorit shqiptar edhe një mundësi tjetër investimi në lekë, me qëllim diversifikimin e portofolit financiar nëpërmjet investimeve më afatgjata.

Objektivi i Fondit Raiffeisen Vizion është të maksimizojë kthimin total afat-mesëm për investitorët, duke synuar të ruajë kapitalin e tyre dhe të sigurojë likuiditet të mjaftueshëm.

Ky fond është i përshtatshëm për të gjithë investitorët, qofshin persona fizikë apo juridikë, të cilët kanë nevoja të ulëta likuiditeti dhe horizont investimi afatgjatë, të përgatitur të marrin përsipër rreziqet e listuara në prospektin e fondit kundrejt potencialit të një kthimi të kënaqshëm nga investimi.

Të gjithë investitorët e interesuar mund të drejtohen pranë degëve të Raiffeisen Bank për të investuar në fondin e ri. Shuma minimale e investimit fillestar në Fond është 30,000 Lekë. Kjo shumë mund të rritet me një vlerë e cila është minimalisht 10,000 Lekë.

“Krijimi i fondit Raiffeisen Vizion tregon angazhimin tonë të vazhdueshëm për ti ofruar publikut shqiptar një gamë të gjerë produktesh investimi, jashtë spektrit të produkteve bankare, në përputhje me profilin e tyre të rrezikut. Ky është fondi i tretë i investimit nën administrim të Raiffeisen Invest, i krijuar paralelisht me rritjen e ndërgjegjësimit dhe njohurisë mbi fondet e investimeve në Shqipëri. Si shoqëria lider në këtë treg, ne do të vazhdojmë të menaxhojmë asetet e investitorëve me profesionalizëm, integritet dhe transparencë, duke zbatuar praktikat më të mira të menaxhimit të aseteve dhe kontribuojmë për sofistikimin e tregut në tërësi. Në një mjedis normash të ulëta interesi, Raiffeisen Vizion do të jetë një alternativë shumë e mirë investimi” tha Edlira Konini, Drejtore e Përgjithshme e Raiffeisen Invest sh.a.