Societe Generale Albania drejt finalizimit të shitjes tek hungarezët e OTP

Societe Generale Albania, banka e pestë më e madhe në sistemin bankar shqiptar është drejt finalizimit të shitjes tek banka hungareze OTP, në kuadër të një marrëveshjeje më të gjerë për shitjen e degëve të grupit francez Societe Generale në gjithë rajonin. Sipas burimeve të Monitor, dega në Shqipëri do të shitet së bashku me atë të Bullgarisë, ndërsa në negociata janë dhe në vende të tjera të rajonit.

Në mars të këtij viti, mediat bullgare raportuan se Banka franceze Société Générale (SG) po tërheq biznesin e saj nga Evropa Qendrore dhe Lindore, konkretisht në Bullgari, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbi. Këto tregje janë të mbingarkuara dhe jo tërheqëse në këtë moment, prandaj SG është duke u larguar prej tyre, veçanërisht pasi bankat nuk janë as në top 3 të këtyre vendeve.

Blerësi OTP Bank Group, me zyra qendrore në Hungari, është një nga ofruesit më të mëdhenj të shërbimeve financiare të pavarura në Evropën Qendrore dhe Lindore me një gamë të gjerë shërbimesh bankare për individët privatë dhe klientët e korporatave. Grupi OTP përfshin banking, dhënie shërbimesh në fushën e sigurimeve, pasurive të paluajtshme, factoring, leasing dhe menaxhim të aseteve, fondeve të investimeve dhe pensioneve. Banka u shërben klientëve në 9 vende, Hungaria, Sllovakia, Bullgaria, Serbia, Rumania, Kroacia, Ukraina, Mali i Zi dhe Rusia.

OTP bank ka shprehur dhe më parë interes për Shqipërinë, kur konkurroi që të blinte Bankën e Kursimeve në fund të vitit 2003, që pas një gare të ashpër u mor në momentin e fundit nga austriakët e Raiffeisen.

Në Shqipëri, Societe Generale kishte një total aktivesh prej 81.4 miliardë lekësh në fund të vtit 2017, ose 5.6% e totalit të aktiveve në sistem, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave. Banka ka 8.5% të stokut të kredive dhe 6.2% të depozitave.

Banka Societe hyri në Shqipëri përmes blerjes së aksioneve të Bankës Popullore, në vitin 2007. Societe ka pasur një aktivitet pozitiv në vite, si në drejtim të treguesit të kredive me probleme, që ka qenë më i ulëti në sistem, ashtu dhe të treguesve të përfitueshmërisë (kthyeshmërisë nga kapitali dhe aktivet), teksa ka rritur pjesën e tregut në mënyrë të qëndrueshme.

Shitblerjet e bankave

2018-a po rezulton një vit me shumë lëvizje në sistemin bankar. Në shtator, pritet që të përfundojë bashkimi i Intesa Sanpaolo Bank Albania (ISBA), me Banën Veneto, pas një procesi përthithjeje të ISBA në linjë me të njëjtën procedurë të bankave mëmë në Itali. Integrimi, sipas planit do të zbatohet nëpërmjet bashkimit të Veneto Banka Sh.a me Intesa Sanpaolo Banka Albania, bazuar në qasjen e kontabilitetit të “bashkimit të interesave”, duke qenë se të dyja kompanitë janë nën kontrollin e përbashkët të të njëjtit aksioner të vetëm.

Banka Amerikane e Shqipërisë (ABI) ka blerë Bankën Kombëtare të Greqisë (NBG Albania), një proces që është finalizuar tashmë.

Një tjetër bankë me kapital grek, Tirana Bank është në negociata finale për shitje dhe ka disa banka pretendente.

Krahas atyre që po shiten ka dhe interes për hyrje të reja. Banka më e madhe italiane, UniCredit, ka shprehur interes për të qenë e pranishme në Shqipëri gjatë dy viteve në vijim. Interesi është shprehur nga përfaqësuesit e UniCredit në një takim mes shoqatave të bankave të dy vendeve. UniCredit synon të jetësojë një plan të hershëm për të qenë e pranishme në Shqipëri por që nuk u realizua për shkak të krizës së bankave të viteve të fundit. UniCredit është ndër bankat europiane të prekur nga kriza, por që tashmë është rikuperuar.