Prononcim zyrtar i Bankës së Shqipërisë “Nuk kemi pasur kërkesa për licencim”

Banka e Shqipërisë ka pohuar në një prononcim zyrtar për Monitor se nuk ka subjekte të licencuara të cilat operojnë si call center dhe që ushtrojnë veprimtari FOREX. Si rrjedhojë, ajo nuk ka dijeni për mënyrën se si këto subjekte operojnë dhe një vlerësim të masës së rrezikut të pastrimit të parave nga operacionet e kryera prej tyre.

Si kryhet kontrolli nga ana e Bankës së Shqipërisë për këto institucione, të cilat janë licencuar?

Banka e Shqipërisë ka vetëm një subjekt financiar jobankë të licencuar, që ofron mundësi alternative për tregun shqiptar, e cila ushtron veprimtarinë e këmbimit valutor apo të ndërmjetësimit dhe këshillimit për këmbimin valutor ONLINE. Banka e Shqipërisë, duke marrë në konsideratë edhe veçoritë e veprimtarisë financiare që ushtron, për realizimin e mbikëqyrjes zbaton pjesë të caktuar të politikës së mbikëqyrjes, e cila është e bazuar në rrezik. Kontrolli kryhet në vazhdimësi nëpërmjet inspektimeve në vend dhe nga jashtë, objekt i të cilave ndër të tjera është dhe plotësimi i detyrimeve që burojnë nga aktet ligjore dhe rregullatore në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Së fundmi është ngritur shqetësimi se kompanitë që operojnë si call center (po kryejnë aktivitet FOREX) janë përhapur gjerësisht dhe mund të përdoren si kanale të pastrimit të parave. A rrezikohet sistemi ynë financiar prej këtyre lëvizjeve? A ka ndonjë informacion se si këto kompani po operojnë duke përdorur sistemin financiar?

Banka e Shqipërisë nuk ka subjekte të licencuara të cilat operojnë si call center dhe që ushtrojnë veprimtari FOREX. Për këtë arsye sqarojmë se Banka e Shqipërisë nuk ka dijeni për mënyrën se si këto subjekte operojnë dhe një vlerësim të masës së rrezikut të pastrimit të parave nga operacionet e kryera prej tyre.

A ka pasur kërkesa pranë Bankës së Shqipërisë nga kompani që operojnë në këtë fushë për t’u licencuar? Çfarë kriteresh duhet të përmbushin?

Banka e Shqipërisë licencon subjekte financiare jobanka përfshirë dhe subjektet që kërkojnë të ushtrojnë veprimtarinë e këmbimit valutor apo të ndërmjetësimit dhe këshillimit për këmbimin valutor online, si persona juridikë të regjistruar në territorin e Republikës së Shqipërisë. Deri më sot nuk janë paraqitur pranë Bankës së Shqipërisë aplikime për licencim nga shoqëritë që operojnë si call center, që kërkojnë të ushtrojnë veprimtaritë e sipërcituara.

Kërkesat rregullative të licencimit të subjekteve që kërkojnë të ushtrojnë këto veprimtari financiare (këmbim valutor, ndërmjetësim apo këshillim për këmbim valutor) parashikohen në rregulloren e posaçme që rregullon procesin e licencimit të subjekteve financiare jobanka. Rregullorja përfshin kryesisht kërkesa lidhur me nivelet minimale të kapitalit, të burimit të fondeve të financimit të kapitalit, integritetit të aksionerëve dhe të administratorëve të subjektit, planit të biznesit, akteve të brendshme rregullative, etj.