Tregu i kapitalit prej vitesh “fle” në stadin e tij embrional, por disa zhvillime të fundit pritet që t’i japin një tjetër dinamikë ecurisë së tij. AMF vlerëson se sot, peshën më të madhe në këtë treg e zënë Fondet e Investimit, që llogariten në rreth 4.5% të PBB. Po kështu ka një pjesëmarrje modeste edhe të Fondeve të Pensioneve Private, që po rriten vit pas viti, falë edhe sigurimit të një norme kthimi të kënaqshme në investimet që kryejnë. Së fundmi, në hallkat e tregut u shtua edhe Bursa Shqiptare e Titujve, e autorizuar për letrat me vlerë të qeverisë, por me synimin e tërheqjes së biznesit. Sot në treg gatishmërinë për t’u listuar e ka shprehur vetëm Balfin Grup.
