Menu Close
Close

ALSE / SHËRBIMET / INVESTITORËT / Tregtimi në Tituj

Tregtimi i Titujve

Tregtimi i titujve është procesi i ndërrimit të pronësisë së titujve para afatit të tyre të maturimit, për shkak të shitjes dhe blerjes ndërmjet investitorëve të ndryshëm në tregjet sekondare.

Përfitimet

Tregtimi në tituj është një alternativë më përfituese investimi krahasuar me format tradicionale, duke menaxhuar riskun e normës së (mos)kthimit nëpërmjet diversifikimit të portofolit, në varësi të qasjes që vetë investitori ka ndaj tij (riskut).

Investimi në tituj i sjell investitorëve të mira si:

  • Fitim nga Kapitali i Investuar
  • Fitim nga Dividendi
  • Fitim nga Interesat e Obligacioneve
  • Pronësi në Kompanitë e Listuara etj.

Instrumentat Financiarë

Instrumentat Financiare ndahen në 3 klasa kryesore:

Letra me Vlerë me të Ardhura Fikse
Janë kryesisht instrumenta borxhi dhe sigurojnë flukse të ardhurash (cash-flow) periodike ose fikse për një periudhë të caktuar kohore (Bono Thesari, Obligacione Thesari, Letra Tregtare, Obligacione Korporatash, Obligacione Bashkiake).
Instrumentat e Kapitalit Neto
Përfaqësojnë pronësi mbi asetet e subjektit juridik (Aksionet e Zakonshme, Aksionet Preferenciale, Të Drejtat e Parablerjes etj.).
Derivativët Financiarë
Janë kontrata, çmimi i të cilave derivon nga çmimet e një aseti tjetër (Forward, Futures, Options, Swaps).

Për informacion më të detajuar rreth Instrumentave Financiarë, klikoni këtu.

Risqet

Investitorët që tregtojnë tituj në bursë përballen me riskun e humbjes së vlerës së titujve, për shkak të faktorëve që mund të vijnë nga ndryshimet ekonomike, politike etj. Në këto risqe përfshihen:

Risku i Kapitalit
Ka të bëjë me investimet në aksione. Investimet në aksione mbartin riskun e rënies së çmimit të tyre.
Risku i Normave të Interesit
Ka të bëjë me investimet në titujt e borxhit. Këto investime mbartin riskun e ndryshimit të normave të interesit, pasi në rast rritjeje të normave, vlera (çmimi) e obligacioneve bie.
Risku i Valutës
Ka të bëjë me investimin në valuta të huaja. Investimet në valutë të huaj mbartin riskun e luhatshmërisë së kursit të këmbimit; një zhvlerësim i papritur mund ta bëjë praktikisht zero fitimin që vjen nga ky investim.
Risku i Inflacionit
Ka të bëjë me humbjen e fuqisë blerëse për shkak të rritjes së nivelit të çmimeve në ekonomi. Me kalimin e kohës, e njëjta sasi parash do të blejë më pak të mira dhe shërbime.

Menaxhimi i Portofolit

Menaxhimi i portofolit nënkupton menaxhimin në mënyrë profesionale të titujve ose aseteve të tjera nga institucione të specializuara në këtë fushë, bazuar në qasjen e investitorëve ndaj riskut (sa e duan apo sa e shmangin atë).

Menaxhimi i portofolit përfshin një gamë shërbimesh të specializuara, që kanë si funksion të menaxhojnë titujt e individëve ose kompanive, si: aksione, obligacione, ose asete të tjera si pasuri të patundshme.