“Për tregjet e kapitalit”/ Bushati: Projektligji u konsultua me grupet e interesit, formëson Bursën shqiptare

Live: Fjala në Parlament e deputetit, Ervin Bushati

Posted by Taulant Balla on E enjte, 9 korrik 2020

TIRANË, 9 korrik/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, deklaroi sot se “më vjen keq që Presidenti Ilir Meta me një dekret ka kthyer pranë Kuvendit, për disa arsye që në besimin tonë dhe në diskutimin në Komisionin e Ekonomisë nuk qëndrojnë, ligjin “Për tregjet e kapitalit”.

Në fjalën e tij në Kuvend lidhur me shqyrtimin e dekretit të Presidentit për kthimin e ligjit  “Për tregjet e kapitalit”, Bushati tha se se “e para, se argumenti meqë nuk është krijuar ky treg nuk duhet të fillojë e të krijohet tani nuk qëndron. Ne po e hapim këtë e po vendosim rregulla loje që të krijohet, të funksionojë e të formalizohet ky treg, prandaj nuk mund të vlejë si argument. E dyta, që thotë se do të ishte ndoshta e rrezikshme dhe e dëmshme për ekonominë, ndërkohë që ne e dimë që ky treg sot duhet të formalizohet”.

“Ndërkohë që Presidenti e pranoi Eurobondin prej 650 milionë eurosh të lëvruar në tregjet ndërkombëtare, të miratuar e financuar nga tregjet ndërkombëtare që treguan sa lart mund të rankohet Shqipëria në qëndrimin e saj financiar apo ekonomik. Pra vetë Presidenti ishte pjesë me atë që pranoi bursa shqiptare apo tregjet kapitale të kishin borxhin më të madh, të këtij viti po e po, por me sa di unë edhe në të shkuarën dhe e miratoi vetë Eurobondin”, – nënvizoi Bushati.

Kështu që, shtoi ai,  këto argumente që sjell Presidenti duke na vonuar ne për gati dy muaj për një frymëmarrje kaq të madhe që mund t’i jepet ekonomisë shqiptare nuk qëndrojnë.

Deputeti socialist u shpreh se “më vjen keq që Presidenti ndërkohë që është treguar i arsyeshëm dhe ka pranuar disa iniciativa të mazhorancës, në këtë pikë që ka të bëjë me frymëmarrjen ndaj ekonomisë dhe tregjeve kapitale është treguar joracional dhe më duket se ka një arsye politike që nuk ia vlen ta diskutojmë”.

“Prandaj Komisioni i Ekonomisë dhe Financave, pasi e mori dhe shqyrtoi për të gjitha arsyet që i kemi renditur në seancën e 14 majit kur kemi kaluar të gjithë bashkë këtë projektligj mendojmë ta rrëzojmë dhe të sjellim para seancës propozimin tonë për ta rrëzuar dekretin e Presidentit dhe t’i hapim rrugë tregjeve kapitale dhe t’i japim shpresë ekonomisë aq më tepër në kontestin e një tërmeti që ndikoi shumë në ekonomi dhe pandemisë botërore që ka qenë një sifidë dhe do të jetë edhe në të ardhmen”, – tha Bushati.

Deputeti Bushati u shpreh se “mazhoranca është e përgjegjshme jo vetëm për të ruajtur shëndetin e qytetarëve shqiptarë, por edhe shëndetin e ekonomisë shqiptare. Për këtë arsye në datën 14 maj, kemi miratuar të gjithë bashkë në Kuvend një ligj, i cili është diskutuar gjatë, që ka pyetur dhe marrë parasysh gjithë grupet e interesit, për të ringjallur tregjet kapitale në Shqipëri për të formësuar atë që quhet bursa e Shqipërisë”. Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.